Sytë të fiksuar në fushë. Është ky mesazhi i Zinedine Zidane në vigjilje të El Clasiccos më të politizuar të viteve të fundit. Mbrëmjen e kësaj të mërkure në “Camp Nou” merr jetë një Barcelona-Real Madrid që ka në lojë lidershpipin e La Ligas, me të dyja skuadrat që aktualisht janë në të njëjtën kuotë pikësh në krye, por që është edhe i rrethuar nga frikëra të mëdha për shkak të protestave të paralajmëruara të separatistëve katalanë.
Diçka që ka sjellë edhe vendime të pazakonta në planin logjistik, pasi Barcelona është grumbulluar për të kaluar natën në hotel, diçka që nuk e bën kurrë kur luan në shtëpi dhe mbi të gjitha të dyja skuadrat si dhe trupa e arbitrave, do të akomodohen në të njëjtin hotel duke u nisur së bashku drejt fushës, me hotelin që është vetëm 650 metra larg “Camp Nou”-t.
“Rregullat janë rregulla. Na kanë thënë të dalim nga hoteli bashkë me Barcelonën dhe do ta bëjmë, asgjë më shumë. E rëndësishme është të luajmë ndeshjen dhe të përpiqemi ta shijojmë në maksimum, pasi në fund të fundit si ne edhe Barca e tifozët, atë kërkojmë, një ndeshje të madhe futbolli. Këto janë sfidat që dëshiron të luash. Unë i kujtoj ende ato kur isha futbollist, të tjerat nuk kanë vlerë. Ne mendojmë vetëm për fushën, për kundërshtarët, për ndeshjen, pjesa tjetër nuk na intereson. Arbitri? Le ta lëmë të qetë të bëjë edhe ai ndeshjen e tij sikurse edhe ne”, deklaroi Zidane.
Një ndër pyetjet interesante që ju bë teknikut madrilen ishte edhe ajo se si do t’ia shpjegonte një miku të tij se përse El Clasico e parashikuar për t’u luajtur 26 tetorin e kaluar, u shty.
“Nuk më takon mua të përgjigjem për këto gjëra. Unë mendoj vetëm të përgatis ndeshjen. Çfarë më shqetëson më shumë? Asgjë, jam i lumtur që mund të luaj një tjetër Klasike. Nuk kam menduar kurrë që kjo ndeshje do të anulohej, pasi mendimet tona shkojnë vetëm në një drejtim, atë sportiv”, tha trajneri francez.
Me pak fjalë, Zidane po bën gjithçka për të izoluar veten dhe djemtë e tij nga një situatë politike dhe sociale e trazuar, duke u përqendruar te fusha, te Messi, te kundërshtarët, dhe jo te 4000 personat që do të impenjohen për të garantuar sigurinë e një ndeshjeje të veçantë, sportivisht dhe politikisht!
Top Channel