Jemi në nëntor të vitit 1996. Tirana tronditet nga një shpërthim i fuqishëm në qendër të qytetit. Një sasi e madhe tritoli shpërthen në derën e një apartamenti, në katin e 5-të të një pallati. tek zona e Ushtarit të Panjohur.
Paniku ishte i madh. Objektivi i sulmit ishte banesa e një gjyqtari. Ishte sulmuar familja e Prel Martinit, kryetarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Fatmirësisht, nuk pati viktima.
Presidenti i kohës Sali Berisha nuk do të vononte shumë ti vishte ngjarjes pistën e të ashtuquajturit terrorizmi i kuq. Këtë konkluzion, ai e lidhte me dënimet e ashpra që Martini kishte dhënë në atë periudhë për ish-zyrtarë të Partisë së Punës. Martini, ishte një gjyqtar i besuar pranë të djathtës, i emëruar nga Berisha në atë post pas një karriere 5-vjeçare si gjyqtar në Shkodër. Ai ishte atakuar jo pak për vendime dhe qëndrime të skajshme politike dhe cilësohej si një njeri i bindur ndaj pushtetit.
“Opinioni publik, media e konsideronte afër partisë që ishte në pushtet në atë kohë, dhe nuk është se nuk kishin të drejtë”, tregon Shkëlqim Hajdari, ish – prokuror.
Në atë periudhë, Martini binte në sy si një prej gjyqtarëve që shumë shpejt u bë pjesë e pronarëve në zonën e ish-bllokut, me një vilë.
Një vit pas atentatit, në Shtator të vitit 1997, presidenti Rexhep Mejdani do ta shkarkonte Prel Martinin nga detyra.
Top Channel