Të arrestuar 3 punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura për shpërdorim detyre dhe 7 shtetas të poceduar penalisht për “Pushtim toke”- ky është rezultati i një operacioni policor në Shkodër, koduar “Bregdet i pastër”.
Kështu ranë në pranga R.Z., 57 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë rojë mjedisore në Zonat e Mbrojtura; V. T., 56 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë specialist në Zonat e Mbrojtura dhe P. K., 65 vjeç, banues në Shkodër, me detyre rojë mjedisore në Zonat e Mbrojtura.
Po kështu janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pushtimit toke” shtetasit: Gj. P., 64 vjeç, E. L., 35 vjeç, L. K., 66 vjeç, Gj. M., 58 vjeç, Gj. L., 72 vjeç, M. K., 61 vjeç, dhe A. P., 47 vjeç, të gjithë banues në Shkodër;
Në zbatim të një plani masash të përbashkët mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura, në vijim edhe të operacionit mbarëkombëtar kundër informalitetit, janë ushtruar kontrolle në Zona të Mbrojtura në Qarkun Shkodër.
Si rezultat i kontrolleve ne Velipojë, janë konstatuar një sërë shkeljesh, si gërmime, shpyllëzime, rrethime me gardh me rrjete dhe me shtylla betoni etj.
Sektori i Monitorimit, ku bëjnë pjesë specialistët dhe rojet mjedisore, ka për detyrë parandalimin, zbulimin dhe luftimin e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretëtirëzimit a degradimit të natyrës, të pyjeve e të tokës pyjore, të cenimit nga ndërhyrjet e pakontrolluara ne mjedisin natyror e ujor të zonës së mbrojtur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
Top Channel