Partizani humb një “yll”/ Jasir Asani transferohet në Suedi

17/12/2019 17:18

Një vend titullar në derbi do të kishte qenë lamtumira ideale, por edhe pa prezencën në përballjen e stadiumit Air Albania, Jasir Asani do të mbetet në zemrat e tifozëve të Partizanit. Mesfushori teknik do ta vazhdojë karrierën që nga ky dimër, te skuadra e Aik Stokholmit në futbollin suedez.

Klubi kryeqytetas njoftoi arritjen e marrëveshjes së transferimit të Jasir Asanit drejt ekipi suedez AIK. Mesfushori me tipare sulmuese do të kalojë në formulën e huazimit te klubi suedez nga Janari i 2020 kohë kur hapet edhe merkatoja në kontinentin e vjetër. Klubi nordik njëkohësisht do të ketë edhe të drejtën e blerjes së kartonit të Asanit në fund të sezonit.

24 vjeçari do të jetë në dispozicion të kampionëve të Shqipërisë edhe për dy ndeshjet e radhës ndaj Teutës dhe Vllaznisë, për të vijuar më pas aventurën e tij të re në kampionatin suedez.

Performanca mjaft pozitive e Asanit në radhët e të kuqve, me të cilët u shpall edhe kampion i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane për të përfituar shërbimet e tij, por insistimi i vazhdueshëm i AIK rezultoi sipas Partizanit, edhe oferta më konkrete dhe më e mirë për Asanin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA