Shpëtimi është banor i këtij pallati në lagjen ”Luginë” të Shijakut ku shumica e pallateve janë të rrethuar me shirita pengues ose të shenjuar me kryqin e kuq, dëshmi e godinave të pabanueshme. Në pallatin e tij kanë mbetur vetëm tri familje. Të gjitha janë larguar nga dëmet dhe frika e paslëkundjeve të tërmetit.
Edhe Mira është banore e lagjes ”Luginë”. E detyruar nga tërmeti dhe pasojat e tij, ajo e ka braktisur apartamentin e saj bashkë me familjen, por çdo ditë kthehet në lagjen e saj ku ka një dyqan të vogël me shpresën se dikush do të kthehet e blejë diçka në të.
Jo vetëm ”Lugina”, edhe lagjja ”Erzen” është mjaft e prekur nga tërmeti.
Jonida Goga, përgjegjëse e Urbanistikës në bashkinë Shijak, thotë se Shijaku është qyteti me më shumë dëme në strukturat e muraturat e pallateve, ndërkohë që gjetja e banesave me qera në qytet është vështirësuar shumë nga rritja e kërkesës.
Bashkia e Shijakut konsiderohet nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë bashki janë vlerësuar, deri tani, 25 pallate 5 katëshe të pabanueshme, si dhe 445 ndërtesa 1-3 katëshe të pabanueshme dhe 1300 ndërtesa të tjera me dëme të rënda.
Vali Qyrfyçi
Top Channel