Liderët e vendeve të Ballkanit kanë nxitur të urojnë Boris Johnsonin për fitoren në zgjedhjet e parakohshme të së enjtes.
Udhëheqësit e Bosnjës, Bullgarisë, Kosovës dhe Serbisë i kanë përcjellë urimet e tyre më të ngrohta kryeministrit të rikonfirmuar britanik për fitoren dërrmuese.
Johnson, i cili në muajin korrik mori në dorë frerët e ekzekutivit pas rrëzimit të qeverisë së pakicës të drejtuar nga Theresa May, i kërkoi zgjedhjet me zotimin “ ta kryejë Brexitin” më në fund, nëse do të arrinte të siguronte shumicën në parlament. Kryeministri bullgar, Boyko Borrisov shkroi në Twitter se shpreson që bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve të vazhdojë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci tha se pret më padurim forcimin e partneritetit strategjik mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës, si dhe intensifikimin e angazhimit të Londrës në Kosovë e në Ballkan. Urime përcolli dhe kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, që tha se Mbretëria e Bashkuar do të mbetet gjithmonë epitome e lirisë dhe demokracisë për Kosovën dhe popullin e saj. Ndërkohë, kreu i shtetit serb Aleksandar Vuçiç i dha nota më personale urimit të tij.
“I dashur miku im Boris Johnson”, ka shkruar presidenti serb, “jam i bindur se kjo fitore do t`ju frymëzojë për t`i përballur pengesat me vendosmëri edhe më të madhe, dhe me eksperiencën tuaj të pasur politike, ta drejtoni shoqërinë britanike në rrugën e sigurtë të progresit”, ka qenë mesazhi i Vuçiç.
Top Channel