Mbi situatën në vend pas tërmetit të 26 nëntorit, konkretisht në Bashkinë Lezhë, ka reaguar përmes një deklarate Partia Demokratike.
Në të thuhet se verifikimi në terren nga Bashkia Lezhë në një masë të konsiderueshme nuk është kryer në kohë, duke ngadalësuar procesin dhe duke krijuar pasiguri tek banorët për shkak edhe të qëndrimeve kontradiktore të mbajtura dhe komunikuara në kohë të ndryshme si dhe nuk ka patur transparencë me qytetarët, ne veçanti me personat drejtpërdrejt të prekur, duke bërë që edhe kjo situatë tejet delikate të trajtohet në kufijtë e propagandës.
Lexoni më poshtë deklaratën e plotë të degës së Partisë Demokratike në Lezhë:
“Tërmeti i 26 nëntorit ka sjellë dëme të konsiderueshme për banorët e Bashkisë Lezhë. Në këtë situatë të vështirë për qindra familje lezhjane, reagimi i institucioneve kompetente duhet të jetë serioz, i saktë, objektiv dhe të japë zgjidhje urgjente. Verifikimi në terren nga Bashkia Lezhë në një masë të konsiderueshme nuk është kryer në kohë, duke ngadalësuar proçesin dhe duke krijuar pasiguri tek banorët për shkak edhe të qëndrimeve kontradiktore të mbajtura dhe komunikuara në kohë të ndryshme. Nuk ka patur transparencë me qytetarët, ne veçanti me personat drejtpërdrejt të prekur, duke bërë që edhe kjo situatë tejet delikate të trajtohet në kufijtë e propagandës. Në qytetin e Lezhës, janë mbi 23 godina shumëkatëshe me dëme shumë serioze, deri në këto momente 16 prej tyre ku banojnë rreth 260 familje janë konstatuar të pabanueshme. Në njësitë e tjera administrative janë mbi 100 banesa private me dëmë serioze deri në të pabanueshme. Pallatet e vlerësuara të pabanueshme janë të gjitha ndërtesa të vjetra, ndërkohë ka objekte të tjera të pretenduara me dëme tejet serioze nga vetë banorët si dhe specialistë , për të cilat qëndrimet e inxhinierëve të Bashkisë Lezhë kanë qenë të ndryshme në kohë të ndryshme për objekte të njejta. Aktualisht, në Bashkinë Lezhë janë rreth 1300 banorë të pastrehë dhe pa asnjë zgjidhje përfundimtare konkrete. Një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë të jetojnë në banesat e tyre duke vënë jetën në rrezik, për shkak edhe të pasigurisë për tu transferuar në banesa të tjera me qera, pasi për këto godina ende nuk ka qëndrime përfundimtare ose qëndrimet e Bashkisë Lezhë kanë qenë kontradiktore. Bashkia Lezhë ende nuk ka përfunduar fazën e verifikimit, të plotësimit të dokumentacionit dhe miratimit të listës së familjeve që duhet të trajtohen me pagesën e qirasë deri në zgjidhjen përfundimtare të strehimit të tyre. Sic edhe është bërë publike, 15 familje të komunitetit rom dhe egjyptjan, me fëmijë të mitur e gra shtatzana janë vendosur në palestrën e gjimnazit të qytetit, ku po përballen me të ftohtin si dhe kushtet e këqija higjieno sanitare. Bashkia Lezhë, ka abuzuar me detyrimin për tu garantuar këtyre banorëve një sistemim real e të përshtatshëm, deri në një zgjidhje afatgjatë, pas konstatimit si të pabanueshme të banesave të tyre. Ky është një rast abuziv për të cilin duhet të investohet Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi. Sa më lart, duke rikujtuar se institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, dhe se në situata emergjente reagimi duhet të jetë në përputhje me gjendjen, i bëjmë thirrje Bashkisë Lezhë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse, që të ezaurojnë me përpikmëri, profesionalizëm dhe në kohë të gjitha proçedurat për ti dhënë zgjidhje urgjente strehimit të familjeve të prekura nga tërmeti :
– Të përfundohet në mënyrë urgjente dhe profesionalizëm verifikimi i të gjitha godinave të dëmtuara: banesa private, pallate, institucione;
– Të përcaktohet përfundimisht dhe në mënyrë të saktë shkalla e dëmtimit të tyre;
– Të bëhet publik informacion i detajuar mbi të gjitha objektet: banesa private, godina shumëkatëshe apo institucione të konstatuara me dëme të rënda të pariparueshme strukturore.
– Të merren masa urgjente për strehimin real dhe të sigurtë të familjeve të pastreha, duke u siguruar atyre kushte për një jetesë normale.
-Të bëhet publike lista e familjeve që do të trajtohen me pagesën e qirasë si pasojë e dëmeve nga tërmeti.
– Të nisin sa më parë proçedurat për të garantuar strehimin përfundimtar të këtyre banorëve.
Çdo vendim, aktual apo i mëvonshëm, duhet të merret pas diskutimit dhe konsultimit me banorët e prekur nga tërmeti, duke pasur në themel interesin e tyre më të lartë, mirëqënien dhe të drejtën e tyre për të patur të gjithë mbështetjen maksimale nga institucionet për të rifilluar dhe kaluar këtë periudhë të vështirë.”
Ju kujtojmë se tërmeti i fuqishëm që goditi vendin fundin e nëntorit solli dëmtime të shumta në Lezhë, e cilësuar si një nga zonat më të prekura.
Top Channel