Më 19 dhjetor do të bëhet mbyllja përfundimtare e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas 15 vitesh ekzistencë. Shkrirja e këtij institucioni ndodh për shkak të krijimit të Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK).
Kryeprokurori Olsian Çela ishte sot në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me prokurorët e kësaj prokurorie përpara përfundimit të aktivitetit nga ana e saj. Ai u shprehu atyre vlerësimet maksimale për punën e kryer përgjatë 15 viteve të funksionimit të saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë model për rajonin dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar.
Çela vlerësoi lart profesionalizmin e tyre dhe shprehu besimin se eksperienca që ata kanë do të jetë shumë e vlefshme për prokuroritë ku ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet. Njëkohësisht ai vlerësoi pozitivisht vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimet e prokurorëve të kësaj prokurorie, si shenjë e mbështetjes dhe vlerësimit që ky organ dha për karrierën e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela vuri theksin gjithashtu edhe tek kuadri i ri ligjor në të cilin veprojnë prokurorët, ku pavarësia u cilësua si elementi thelbësor që do të karakterizojë punën e prokurorëve. Ai siguroi se do të jetë mbështetës dhe garant i kësaj pavarësie. Mes të tjerash Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se rezultatet e hetimit nëçështjet që lidhen me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve dhe vlerësoi punën e tyre në këtë drejtim.
“Shkrihet” Prokuroria e Krimeve të Rënda, emrat që do transferohen në rrethe
Top Channel