Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës peripecitë e një pacienti të sëmurë nga veshkat, që i duhet të marrë shërbimin e dializës.
Ruzhdi Rrasa nga fshati Kurtin i Lushnjes duhet të bëjë çdo ditë dhjetëra kilometra rrugë për të marrë këtë shërbim në Fier. Sipas tij, shteti i paguan rreth 3300 lekë në muaj shërbim të transportit, ndërkohë me çmimet e tregut atij i duhen plot 1100 lekë dita. Lekët që i jep shteti i dalin vetëm për 1 javë. Për 3 javët e tjera transportin e paguan nga xhepi.
“Unë i drejtohem Fiks Fare për arsye ekonomike. Bëj dializën në Fier dhe çdo ditë bëj 90 kilometra vajtje ardhje. Lekët që më jep shteti më dalin vetëm për 1 javë, të tjerat i paguaj. Mua ilaçet më bëjnë 30 mijë lekë” thotë Ruzhdiu. Më tej pohon se lodhet përditë në këtë itinerar, ndërsa pohon se dializën e bën 12 herë në muaj. Ai pohon se nga shtëpia në fshat deri në Lushnje ikën me një taksi, ku paguan rreth 100 lekë. Madje, disa herë hipën edhe në bagazh, pasi makina është plot. Nga Lushnja deri në Fier paguan 200 lekë të tjera, ndërsa po kaq lekë paguan edhe nga Fieri në Lushnje. Por, i gjithë ky itinerar zgjat me orë të tëra dhe kur vjen në Lushnje nuk ka transport për në fshatin e tij, pasi s’ka transport publik. Atij i duhet të marrë taksi që kushton nga 500 deri në 800 lekë.
Pas ankesës, grupi i Fiks Fare udhëton sëbashku me Ruzhdiun nga fshati i tij për në Fier dhe anasjelltas. Udhëtimi zgjat plot 9 orë, ndërsa ky i sëmurë që i duhet të marrë një shërbim jetësor, ndërron disa mjete transporti dhe paguan nga 1100 deri në 1300 lekë në ditë. Por, shteti i jep vetëm 380 lekë rimbursim dhe pjesën tjetër duhet ta paguajë vetë.
Fiks Fare u interesua në Spitalin e Lushnjes për kostot e transportit për zotin Ruzhdi Rrasa. Drejtoresha e Spitalit i thotë gazetarëve të Fiks Fare se do përgjigjet me shkrim. Në përgjigje thuhet se pagesa e transportit për pacientët e dializës bazohet në një urdhër të vitit 2010, në të cilin thuhet se “Drejtoria e Spitalit, në rastin e transportit me autobusë dhe furgon” rimburson koston nga banesa deri në qendrën e dializës dhe anasjelltas.
Pra, ky spital përcakton se udhëtimi bëhet vetëm me këto mjete transporti, autobus dhe furgon dhe jo në taksi. Spitali thotë se kërkon edhe një vërtetim nga qendra e dializës për numrin e seancave nga i sëmuri. Madje, edhe në bazë të dokumenteve nga mjeku specialist nefrolog si dhe si dhe biletat e paraqitura apo vërtetimin e lëshuar nga qendra e dializës. Ky pacient, krahas kujdesit për shëndetin që i rrezikohet nëse vonon për disa minuta dializën, duhet të bëjë llogaritë edhe me transportin. Të marrë biletat, të bëjë llogari rregullat apo urdhrat e transportit, t’i krahasojë me çmimet e tregut dhe më pas të marrë lekët nga spitali.
Në përgjigjen e Spitalit thuhet se i sëmuri, në muajin Korrik, Gusht dhe Shtator 2019 ka bërë 39 seanca dhe i takon të rimbursohet me 14.820 lekë. Pagesa e ulët, në vetëm 10.140 konsiderohet nga ky spital si “gabim njerëzor”. Spitali thotë se këtë diferencë, pacienti do e marrë në muajt në vijim.
Sipas një llogarie të thjeshtë, rezulton se shteti i rimburson pacientit 380 lekë për çdo seancë, kur kostoja reale e transportit këtij të sëmuri i shkon në rreth 1.100 lekë. Pra, vetëm një të tretën! Në fund, ky spital i thotë pacientit se biletat që përdor të jenë të përcaktuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financës dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pra, një pacient dializë që çdo ditë rrezikon jetën nëse nuk merr shërbim, duhet të bëjë dhjetëra llogari për të marrë lekët e transportit.
Ndërkohë, drejtoresha e Spitalit të Lushnjes këmbëngul që sipas kilometrave, qytetarit i takon vetëm 80 lekë në ditë, vajte-ardhje. Sa 1/3 e shpenzimeve që bën realisht qytetare dhe faktoi Fiks Fare!
Top Channel