Një 27-vjeçar ka rënë në pranga në Tiranë pasi është kapur me fishekë, pajisje elektrike dhe disa ora dore.
Pas kontrollit që i është bërë në banesë i kanë gjetur edhe 18.2 gramë kanabis në formën e çokollatës.
Tiranë
Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë 27-vjeçari që posedonte lëndën narkotike.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike në formë çokollate, e dyshuar cannabis sativa, krehër, fishekë luftarakë, pajisje elektrike dhe ora dore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se një shtetas posedonte lëndë narkotike cannabis sativa, kanë organizuar punën duke bërë identifikimin dhe lokalizimin e personit të dyshuar.
Në bashkëpunim edhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. M., ku u gjetën 89 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme, një krehër, një pajisje elektrike dhe 4 ora dore.
Kontrolli më tej ka vijuar në një parking në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Fadil Bodinaku”, ku është gjetur një sasi lende e dyshuar cannabis sativa, në formë çokollate, me peshë 18.2 gr., e cila së bashku me sendet e tjera të kundërligjshme u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për hetimin e narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit D. M.
Top Channel