6 dekada solli buzëqeshje/ Aktori i njohur shkodran i humorit Gëzim Kruja festoi 80 vjetorin

15/12/2019 22:05

Karrierën humoristike e nisi që në moshën 13 vjeçare, ka një jetë në skenë, ndërsa këto ditë festoi 80 vjetorin e lindjes. “Mjeshtri i Madh” i humorit shqiptar, Gëzim Kruja, i cili ka dhuruar buzëqeshje pa fund për të gjithë, këtë ditëlindje nuk mundi t’i falenderonte miqtë e kolegët me fjalë, por zgjodhi t’u shkruajë.

“Faleminders, miqve dhe aktorëve që kam lujt 60 vjet në skenë me ta. JU UROJ 80 VJETORIN TEM. U BAFSHIM 100 VJEÇA. Kete urim e keni nga Gëzim Kruja”.

Edhe në rastet më të vështira, humorin nuk e  harrojnë. Gëzimi ka humbur zërin përkohësisht, dhe është kolegu i tij i 60 viteve në skenë, Zef Deda, i cili e njeh më mirë së të gjithë dhe e imiton në përgjigjet për median.

Shumë vite kanë kaluar për “Estraden e Shkodres” por Zef Deda premton se ata do të ngjiten serish në skenë, pavarësisht moshës.

Në karrieren e tij, Gëzim Kruja, ka shkruar mbi 15 komedi, 2 libra me monologë gazmor, ndersa ka  interpretuar në mbi një mijë role në skeçe të ndryshme.

Top Channel