Mazhoranca vendos që të heqë taksën prej 15% për rastet e dhurimit të pronës brenda familjes, por në mënyrë të diferencuar. Në komisionin parlamentar të Ekonomisë, dy deputetët socialistë Evis Kushi dhe Sadi Vorpsi propozuan amendamentin që parashikon mos aplikimin e taksës për rastet kur dhurohet banesa apo prona. Duke paraqitur propozimin, socialistja Kushi u shpreh se “propozimi vjen vetëm për rastet kur dhurohet një banesë e vetme, dhe truall dhe kjo kur vlera kadastrale është deri 30 milionë lekë”.

Por deputetja Kushi tha se ky përjashtim nga taksa është i limituar, pasi bëhet falë që të aplikohet vetëm në rastet kur prindi i dhuron fëmijës, ose kur bashkëshorti i dhuron gruas (ose anasjelltas). “E kemi bërë këtë propozim vetëm për banesën e parë, se mund të jetë ndërtues që ka 10 apartamente. Mund të ketë një ndërtues që ka në zotërim 10 apartamente dhe mund të dojë që t’ia dhurojë fëmijës, apo bashkëshortes, por kjo nuk mund të aplikohet me këtë amendament”, thekson Kushi.

Në propozimin e socialistëve në variantin fillestar ishte vënë një kufizim, kur vlera e banesës shkon deri në 30 milionë lekë. Nëse vlera kadastrale do të jetë mbi këtë vlerë ne propozojmë që kontributi të jetë, 3% për vlerën mbi 30 milionë.

Në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë, pati propozime nga deputeti i opozitës, Artur Roshi që ky përjashtim të mos fokusohet te banesat dhe trualli, por edhe te ato objekte të paluajtshme që janë godina biznesi. “Kjo do të ishte një penalizim dhe demoralizim për biznesin, them që ta shtrijmë atë. Gjithashtu mendoj se duhet studiuar po nëse ato pronarë s’kanë trashëgimtarë të parë apo të dytë, si do të veprohet?”, theksoi Roshi. Por propozimi i deputetit të opozitës u hodh poshtë nga mazhoranca, si dhe nga përfaqësuesit e ministrisë së Financave.

Pas shumë diskutimesh është vendosur së bashku me mirëkuptimin e ministrisë së Financave që të hiqet kufizimi prej 30 milionë lekësh dhe të lihet pa limit. Ndërsa akti i dhurimit të jetë vetëm për një banesë nga prindi te fëmija, si dhe nga bashkëshorti te bashkëshortja (si dhe anasjelltas), si dhe për një truall. Propozimi pritet të miratohet në seancën e radhës parlamentare.

Taksa prej 15% e vendosur nga qeveria edhe rastet e aktet e dhurimit jo vetëm të shitjes së pasurive të paluajtshme kishte krijuar probleme, pasi shumë familjarë nuk kryen aktet e kalimit të pronësisë së trashëgimisë, për shkak se duhej të paguanin shuma të konsiderueshme të vlerave monetare. Me këtë ndërhyrje pritet të ketë dhe ndonjë zhbllokim të procesit të kalimit të pronësisë drejt trashëgimtarëve të shkallës së parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA