Autoritetet italiane i kanë dhënë një goditje të fortë trafikut të armëve dhe drogës të drejtur nga një organizatë italo-shqiptare. La Repubblica shkruan se në orët e para të ditës, forcat e rendit në shtetin fqinj kanë vënë në pranga 20 persona, 10 nga të cilët do të mbeten në burg e të tjerër në arrëst shtëpie.
Ndalimet u kryen në zonën e Barit. Gjatë aksionit policor u sekuestruan mbi një milionë euro dhe gati 6 tonë marijuanë.
Arrestimet pasojnë një hetim të gjatë e kompleks të kryer nga dhjetori i vitit 2015 deri në shkurt të 2017-tës kundër një organizate kriminale të përbërë nga italianë, përfshirë personazhe të lidhur me klanin Strisciuglio të Barit dhe shqiptarë që konsiderohen përgjegjës për krime të shumta duke filluar nga grupime që synojnë trafikimin e drogës e deri tek prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, mbajtjen dhe transportimin e armëve të paligjshme, si dhe vjedhja.
Të ndaluarit janë të gjithë rezidentë në zonën e Barit, ndërsa autoritetet vijojnë kontrolle të imtësishme për të ekzekutuar bllokimin e aseteve të organizatës që konsiderohet si mjaft e rrezikshme.
Shtypi italian thotë se brenda 24 muajve janë sekuestruar tonelata të tëra marijuanë, si dhe një numër i madh pistoletash dhe automatikësh.
Top Channel