Fotot/ Tirana e shumë ngjyrave është këtu, Fshati i Festave ndez dritat e festave të fundvitit

13/12/2019 10:57

Tirana i është rikthyer normalitetit, e megjithatë përveç dëmeve materiale, lëkundjet e vazhdueshme sizmike sollën jo pak gjendje ankthi e shqetësimi, sidomos te fëmijët.

Graniti dhe vajza e tij 8 vjeçare, Ameli, po shëtisin në Fshatin e Festave në sheshin “Skënderbej”, të cilin Bashkia e Tiranës e sjell çdo vit me rastin e festave të fundvitit. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë ndezur dritat e pemës së madhe të Vitit të Ri në shesh, jo thjesht si një kremtim për festat, por edhe si mesazh se ka shpresë e dritë në errësirën që shpesh mbjell frika dhe pasiguria nga kapriçot dramatike të natyrës. Kudo shikon dhjetëra pika lojërash me drita shumëngjyrëshe e performanca zbavitëse për fëmijët. Graniti banon në Njësinë 6 dhe thotë se tërmeti i 26 nëntorit me pasgoditjet e tij, krijuan shqetësim jo vetëm në familjen e tij, por edhe për banorët e tjerë.

“Gjithë kohës mendoja për vajzën. Ajo më shihte mjaft të shqetësuar, ndonëse përpiqesha të isha sa më pozitiv. Pas atyre ditëve mjaft të sikletshme, pashë që Bashkia ka ngritur Fshatin e Festave në qendër, mbushur me lojëra e drita. Ndaj vendosa të marr Amelinë e të vij në shesh. Ajo është kthyer në rutinën e saj, si vajzë e qeshur. Mendoj se kjo është mënyra më e mire, jo vetëm për Amelinë, por dhe për mua, për të lënë pas ato ditë tronditëse. Nuk kemi në dorë të ndikojmë në forcat e natyrës, por kemi në dorë të ndikojmë për t’u rikthyer buzëqeshjen fëmijëve”, thotë Graniti.

Pak më tej, pranë pemës së madhe të Krishtlindjeve, shikon gjyshër e gjyshe me nipër e mbesa, por edhe nëna të reja, që me karrocën përdore enden në labirinthet me lodra të Fshatit të Festës, shoqëruar nga britmat gazmore të fëmijëve. “Nuk do rrimë gjithë kohës me ankth. Ç’është për t’u bërë, do bëhet. Por, ne s’duhet të lejojmë frikën të ndryshojë rrjedhën e jetës sonë. Fëmijët janë psikologët më të mirë dhe kur gëzojnë ata, brenga e shqetësimet hidhen pas krahëve”, thotë Erilda Xh., nëna e 2 fëmijëve, njëri 11 muajsh e tjetri 5 vjeç.

Teksa punëtorët e Bashkisë së Tiranës që po i japin dorën e fundit edhe detajeve më të vogla në Fshatin e Festave, Miki Mousi grish të mëdhenj e të vegjël të vinë pranë tij, syri të kap edhe dy studente, njëra nga Fieri, Fiona S., dhe tjetra nga Librazhdi, të cilat bëjnë foto pranë pemës dhe karrocës së babagjyshit të Vitit të Ri. “Kur ra tërmeti isha në Tiranë. Një ankth pa fund. Të nesërmen ika për në Fier, pasi prindërit insistonin që të shkoja tek ata. Por, unë dua të shkëputem. Të vijoj mënyrën dhe stilin tim të jetës. Kam ardhur tek Fshati i Festave me dëshirën më të madhe, jo vetëm për pemën, por për t’u ndjerë si fëmi”, thotë Fiona.

Dalngadalë Tirana po hyn në rrjedhën e saj. Rikthimi në një gjendje pozitive psikologjike nuk është diçka e lehtë. Por, të paktën ka nisur nga Fshati i Festave në sheshin “Skënderbej”, me karrocën e babagjyshit apo Miki Mousin e dashur për fëmijët. Po, po vërtet, qyteti duket se po i lë pas ditët e vështira, plot ankth e pasiguri. Fryma e festave është këtu, jemi në dhjetor, pak ditë na ndajnë nga Viti i Ri.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel