Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi në takime me biznese të prekura nga tërmeti në Durrës se ata duhet të përfitojnë lehtësi nga qeveria.
“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:
1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.
5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve. “
Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë”, – u shpreh zoti Basha.
Duke sjellë në vëmendje rastin e Italisë, kreu i opozitës tha: “Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale. Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?! E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100% të vlerës së dëmit, njësoj si banesat.”
“Kur themi biznes krijojmë keqkuptime, biznes do të thotë punësim, është një zinxhir i tërë që është pas punës tënde; do të thotë fuqi blerëse, do të thotë punësim, do të thotë edhe buxhet. Në qoftë se nuk arrin dot të mbështesë biznesin do të dëmtosh të gjithë; do të dëmtosh të punësuarit, do të dëmtosh buxhetin e shtetit, do të dëmtosh edhe mundësinë e shtetit për të ardhur në ndihmë”, – deklaroi kreu i opozitës.
Paketa me 5 pika u propozua nga kryetari demokrat gjatë javës së shkuar pasi inspektoi bizneset e Durrësit, Krujës dhe qarkut të Lezhës, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha materiale dhe për shkak të ndërprerjes së punës dhe largimit të forcës punëtore.
Top Channel