Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama gjendet për vizitë në familjen e oficerit të policisë, Ajet Meçja, i cili humbi të shoqen, vajzën e vetme dhe mbesën e mitur gjatë tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.

Përgjatë bashkëbisedimit me kryeministrin, i cili ngushëlloi Ajetin për humbjen e trefishtë, ky i fundit rrëfeu momentet e tmerrit.

“Ishim bashkë. Unë fjeta në një dhomë të vogël në ballkon, dy vajzat te dhoma jonë, ndërsa gruaja në dhomën tjetër. Te tërmeti i madh i dëgjova që ulërinin shumë, sidomos mbesa, por unë nuk pata mundësi të dilja se m’u bllokua dera. Edhe mbi mua ranë inerte , dola zvarrë dhe pashë vetëm komshinjtë jashtë, pallati ishte bërë grumbull. U futa dhe dëgjoja mbesën, që thërriste “gjyshi” dhe Djenën që thoshte “më shpëtoni, ku është mami”, por gruan e kishte goditur të parën”, tregoi Meçja duke shtuar se nuk mundi dot të ndihmonte e shpëtonte asnjërën prej tyre.

“Pse shpëtova, të kisha shkuar edhe unë. Fati s’deshi që ata të jetonin”, u shpreh gjithashtu Ajeti.

Pallati 6-katësh i Durrësit nuk mundi dot t’u rezistonte lëvizjeve të fuqishme duke pësuar kështu shembje e shkaktuar ndër të tjera, vdekjen e Rozës, gruas së Ajetit, Dienës, vajzës së tyre të vetme dhe mbesës së mitur, Esielës.

Top Channel