Krahas 3 konvikteve të shembura në Qytetin Studenti, Instituti i ndërtimit ka vlerësuar të pabanueshme edhe 10 godina në Institutin Bujqësor.

Janë dy konvikte studentore në Institutin Bujqësor që me vendim të këshillit bashkiak Tiranë do të shemben për shkak të rrezikshmërisë që kanë këto godina.

“Ka pasur dëmtime, kanë rënë suvatimet edhe thanë do na nxjerrin jashtë.. se ku do shkojmë, një zot e di. Kemi dëgjuar që do rimbursohemi por nuk e dimë. Unë kam paguar për 5 muaj 200 mijë lekë. Kemi qenë në këtë godinë rreth 150 vajza”, shprehen studentët.
Ku do shkoni?

“Nuk e di, s’na dhanë një rrugëzgjidhje. Erdhi drejtori na tha duhet të ikni te të afërmit … “Në shtëpi me qira, po akoma nuk kemi gjetur në fakt… shumë shtrenjtë, me euro flitet 250-300 euro. Po shkoj te një i afërm, kjo është zgjidhja momentale”, thonë ata.

Ndërsa në 8 ndërtesat e tjera jetonin familjarë të ardhur gjatë viteve të tranzicionit. Punonjësit e Institutit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nisën shembjen e konviktit nr 5 dhe 7, e në godinat e tjera banorët vijojnë që prej të mërkurës nxjerrjen e orendive.

Banorët e konviktit numër 3 në Institutin e Kamzës e kanë kaluar natën e të mërkurës jashtë, kanë ndezur këtë zjarrin këtu për të përballuar të ftohtin, pasi godina ku ata jetonin është shpallur e pabanueshme dhe së shpejti do të shembet.

Kristi Gongo

Top Channel