Prokuroria e Durrësit po zhvillon hetime intensive lidhur me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, ku fatkeqësisht në vend patëm 51 viktima, si dhe u dëmtuan qindra e mijëra objekte banimi, si shtëpi pallate por edhe hotele.

Hetimi nisi për dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje, por burime bëjnë me dije për top Channel se gjatë hetimit dhe administrimit të provave mund të dalin në pah edhe vepra të tjera penale.

Hetimi aktualisht është i ndarë në dy grupe, ku me prioritet po hetohet nga katër prokurorë çështja e shtatë objekteve që regjistruan 23 viktima, siç janë Shtëpia e familjes lala, pallati gjashtë katësh pranë shkollës dy gjelat, pallati gjashtë katësh pranë Kryqit të Kuq, shtëpia e pushimit në Kavalishencë nën varësi të Ministrisë së Brendshme, hotel “Tropical”, “Vila Palma” dhe si hotel “Mira Mare”.

Po ashtu, po hetohen investitorët e objekteve, inxhinierët, projektuesit dhe zyrtarët që kanë trajtuar lejet e ndërtimit dhe legalizimit. Po kontrollohen edhe ndërtimet pa leje që kanë rezultuar me shtesa.
Ndërsa grupi i dytë hetimor prej tre prokurorësh, po hetojnë ndërtimet e kategorizuara të pabanueshme dhe që duhen shembur. Ky grup po ashtu pa pasur në fokus edhe shkollën 9-vjeçare Naim Babameto, e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe u shemb nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Pjese e hetimit janë edhe objektet që që janë dëmtuar por që nuk do të shemben.

Në të gjitha ndërtesat janë marrë mostra hekuri dhe betoni, çka do të ndihmojë hetimin në lidhje me cilësinë e ndërtimeve që është aplikuar.

Prokuroria e Durrësit ka marrë në pyetje ndërtues, inxhinier, projektues, zbatues, zyrtarë si edhe banorë, për të vënë përgjegjësit përpara drejtësisë. Grupi hetimor shprehet i rezervuar se kur do të fillojnë arrestimet, por duke konsideruar intensitetin e hetimeve, shumë shpejt çështja do të ketë edhe konkluzionet përfundimtare.

Andi Bora

Top Channel