Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka renditur presidentin amerikan, Donald Trump dhe atë rus, Vladimir Putin në mesin e liderëve që admiron më së shumti, teksa ka thënë se Evropës i mungon një lider frymëzues.
Duke folur para studentëve në kryeqytetin turk, Ankara, Erdogan ka thënë se Evropa po përballet me “krizë serioze të udhëheqësisë”.
Ai ka përshendetur Trumpin, për siç ka thënë, natyrën e tij të hapur.
“Pavarësisht se a e pëlqeni apo jo, zoti Trump është një emër i rëndësishëm. Ai nuk ka agjendë të fshehur. Ai diskuton me mua hapur dhe unë flas me të shumë hapur”, ka thënë presidenti turk.
Ngjashëm Erdogan ka përshkruar edhe Putinin, duke thënë se as ai nuk ka “agjendë të fshehur”.
Lideri i tretë i përmendur nga udhëheqësi turk, ka qenë sheiku i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, për të cilin Erdogan ka thënë se është “lider i ri dhe dinamik”, i cili mbështet shtetet e varfëra.
Nga e kaluara, Erdogan ka përmendur Profetin Muhamed dhe themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk në mesin e personaliteteve frymëzuese për të./rel
Top Channel