Pesë persona plagosen pas sulmit afër bazës ushtarake të SHBA-së në Afganistan

11/12/2019 08:20

Një sulm vetëvrasës me makinë bombë afër bazës më të madhe ushtarake amerikane në Afganistan, ka plagosur të paktën pesë persona dhe ka dëmtuar një spital që ka qenë duke u ndërtuar afër bazës ajrore, Bagram, kanë thënë zyrtarët afganë.

Sulmi, për të cilin ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar bisedimet me talibanët për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare, tre muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump pati pezulluar ato.

Misioni mbështetës i NATO-s në këtë vend ka thënë se si pasojë e sulmit nuk ka viktima dhe se zona është duke u ruajtur pas incidentit.

“Forcat armike kanë kryer sulmin në zonën ajrore Bagram këtë mëngjes, duke shënjestruar një ndërtesë mjekësore, e cila po ndërtohej për t’iu ndihmuar afganëve që jetojnë afër bazës”, është thënë në deklaratën e NATO-s.

Baza ushtarake në Bagram gjendet rreth 50 kilometra në veri të Kabulit.

Sulmi i së mërkurës vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë marrëveshje me militantët talibanë, të cilët kontrollojnë rreth gjysmën e territorit të Afganistanit.

Ndërhyrja e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s ka rrëzuar talibanët nga pushteti në Afganistan, në vitin 2001.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA