Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara prezantoi të martën akuzat formale kundër presidentit amerikan, Donald Trump.
Trump po përballet me procedurat e shkarkimit nga detyra – proces që në SHBA njihet si “impeachment”. Kryetari i Komitetit Gjyqësor, Jerry Nadler, tha se akuza e parë kundër presidentit ka të bëjë me abuzimin e pushtetit, ndërsa e dyta me pengimin e punës së Kongresit.
“Presidenti e sheh veten më lart se ligji”, tha Nadler. Nëse Komiteti Gjyqësor voton për miratimin e akuzave këtë javë, ato do t’i dorëzohen më pas Dhomës së Përfaqësuesve për votim të plotë. Trump përsëriti të martën se “nuk ka bërë asgjë të keqe”.
Procedura për shkarkimin e presidentit ka nisur qysh në shtator nga demokratët, kur një informator është ankuar në Kongres, duke thënë se Trump i ka telefonuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe i ka kërkuar që ta hetojë rivalin e tij demokrat, Joe Biden, për korrupsion në Ukrainë.
Biden mund të jetë sfidues i mundshëm i Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020. Trump thuhet se e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të hetimeve kundër Bidenit.
Trump vazhdimisht e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.
Çfarë është “impeachment”? “Impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.
Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.
Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Senati aktualisht kontrollohet nga Partia Republikane – nga e cila vjen edhe presidenti Trump./REL
Top Channel