Jemi në zonën e Plazhit në Durrës. Grupi i inxhinierëve shqiptarë dhe të huaj sapo kanë bërë vlerësimin e gjendjes së këtij pallati të ndërtuar nga kompania “LOKA”, në pronësi të Ilirjan Loka.

“Krijohet një grup 6 – 7 veta që merret me vlerësimin banesës, godinës që nga themelet e deri në katet sipër”, Loreta Hoxha, inxhiniere FSHZH.
“Këtu kanë ardhur 3-4 veta francezë, shqiptarë, erdhën e panë pallatin, i bien me çekiç suvasë e thonë do vijë një grup tjetër. Me sa shoh duhet vijë ekspert tjetër, konkluzioni është që pallati është i pabanueshëm, mos të futemi brenda”, tregon Faik Likaj, banor.

Ne u futëm në brendësi të pallatit dhe pamë nga afër problematikat. Siç shihet, situata është më tepër se e rëndë. Muret e brendshme të banesave janë të shembura totalisht.

“Pallati që rrimë këtu ka një kat shtesë, e ka bërë për qejfet e tij Ilir Lokja”, – tregon Faik Likaj, banor.

Njëri pas tjetrit, aty ndodhen edhe dy pallate të tjerë të të njëjtit ndërtues, pra Ilirjan Lokja.

“Ilir Lokja i ka bërë këto 3 pallate rresht, dhe të tre-ja me të njëjtat prishje, janë me shirita të tre-ja pallatet”, – tregon Faik Likaj, banor.
Grupi i xhirimit të Top Story ishte prezent edhe në momentet kur banorëve u komunikohet se edhe kulla numër 2 e firmës është e pabanueshme deri në restaurimin e plotë të muraturës së shembur.

“Ne vendosim shiritin që mos të banohet për momentin. Derisa bëhet riparimi dëmeve, konstatimi i dëmeve, kontrolli i riparimit të dëmeve se duhen kontrolluar si janë riparuar ato dëme se i stukojnë vetë e nuk shohin…”, – tregon Oltion Gruçka, Bashkia Durrës.
Dëmtimet e konstatuara në 3 pallatet e firmës “LOKA” janë klasifikuar në gradën D3, sipas përcaktimeve të inxhinierëve.

“Jemi D1 kur janë dëmtime të lehta fare, fasada, muratura, D2 plasaritje më të mëdha në muratorë por jo në strukturën beton arme. D3 fillon struktura beton arme, plasaritje trarë, kullona, ose shembje të mëdha, kalon D3 vendoset shiriti, i pabanueshëm”, – tregon Loreta Hoxha, inxhiniere FSHZH.

Cilësia e dobët e punimeve në muraturë është e qartë nga pamjet. Duket se edhe vetë inxhinierët nuk janë të sigurt nëse struktura është e qëndrueshme apo jo. Për këtë, në shumicën e rasteve vendoset një inspektim i dytë.

“Ne lëmë një shënim që ky duhet bërë në mënyrë të tillë, më specifik, bëhet një ekspertizë më e saktë sa i përket elementëve, me skaner, ultratingutj, pajisje që mund të vërtetojnë atë”, tregon Oltion Gruçka, Bashkia Durrës

“Në rastin tonë nuk kemi një aparaturë konkrete me vete, por një inxhinier që ka një eksperiencë pune, di të vlerësoj nëse një kollonë është e qëndrueshme, nëse një tra është i qëndrueshëm. Mund të shohë me sy të lirë çarjet në objekt”, tregon Loreta Hoxha

Sot, nëse i hedhim një sy Qendrës Kombëtare të Biznesit, dy kompanitë e ndërtimit, “LOKA” dhe “PROJEKT 2000”, në pronësi të Ilirjan Loka, janë të pezulluara. Ky ndërtues është zhdukur, dhe askush nuk mban përgjegjësi për cilësinë e dobët të punimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA