Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, bëri homazhe në Reçak, duke thënë se masakra në këtë fshat, më 1999, ishte “pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë”.

“Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë. Ka vrarë rreth 1300 fëmijë, e kanë dhunuar rreth 20 mijë gra. Në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptarë civilë të vrarë. Ritheksoj Reçaku shënon pikën kulmuese të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për fat të keq ende ata të cilët kanë kryer këtë krim kundër njerëzimit dhe gjenocidin nuk janë hetuar dhe nuk kanë dalë para drejtësisë”

“E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet, e madje duke i etiketuar apo fyer edhe të vrarët civilë në Kosovë”, tha Thaçi. “E ardhmja ndërtohet vetëm duke pranuar përgjegjësinë, e në të njëjtën kohë duke kërkuar falje lidershipi i Serbisë për krimet që ka kryer në shtetin e Kosovës”, tha Thaçi.

“Heshtja e ndërkombëtarëve dhe mos vizita e tyre sidomos këtu në Reçak që e theksoj se është pika kulmuese e masakrave nga shteti serb, e ka hapur gojën dhe e ka amnistuar edhe lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë me krenari të mohojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosove”

Komentet pasojnë një deklaratë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 5 dhjetor, i cili tha se masakra e Reçakut ishte “trillim”. Deklarata e Vuçiqit për këtë ngjarje nxiti reagimin edhe të faktorit ndërkombëtar. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha se deklaratat nxitëse dhe rishikimi i historisë “janë të papranueshme”, ndërsa Bashkimi Evropian tha se ngjarjet në Reçak janë “të pamohueshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA