Ditën e sotme, në orën 13.00, anëtarët e ish-grupit parlamentar të PD-së do të marrin pjesë në gjyqin e ngritur kundër Ervin Salianjit.
Ish-deputeti Salianji akuzohet për kallëzim të rremë në çështjen që njihet si “Babalja”.
Ju kujtojmë se ish-deputetëve të Partisë Demokratike iu kërkua që të organizoheshin dhe të ndiqnin nga afër seancën gjyqësore që do të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës ndaj kolegut të tyre.
Në mesazhin e dërguar nga nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, thuhej se ish-deputetët duhet të mblidhen, pa asnjë mungesë, në selinë blu, në orën 12:00, dhe më pas në mënyrë të organizuar do të shkojnë pranë ambienteve të Gjykatës penale të shkallës së parë, në orën 13:00.
PD e konsideron procesin ndaj përfaqësuesit të saj si të montuar politikisht.
Audiopërgjigjimi “Babalja”, shkaktoi bujë të madhe për shkak se në të përmendej Agron apo Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe pretendohej se ai ishte i lidhur me çështje të trafikut të drogës. Vëllai i ish-ministrit, pasi depozitoi në prokurori fragmente nga zëri i tij, u vetëdorëzua pranë autoriteteve italiane, për të vuajtur një dënim të shumë viteve më parë.
Aktualisht, i vetmi që po mbahet në burg, është Fredi Alizoti, i cili pretendon se është ai personi që ka imituar zërin e Agron Xhafës.
Ndërkaq, ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, të lidhur me dosjen Babalja, akuzohen se kanë kryer kallëzim të rremë.
Top Channel