Ervin Salianji e priti i buzëqeshur pretencën e Prokurorisë, e cila kërkoi dënimin e tij për kallëzim të rremë bashkë me 3 të pandehurit e tjerë të dosjes Babalja .
Prokuroria kërkoi 3 vite e 6 muaj burg për Albert Veliun të njohur si Babalja. 3 vite burg u kërkuan edhe për Fredi Alizotin, ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi 1 vit burg, dënim i cili konvertohet në 200 orë shërbim prove punë publike.
Organi i akuzës kërkoi 1 vit e 6 muaj burg për ish deputetin Ervin Salinanji, dënim i cili parashikohet të përkthehet në shërbim prove.
Prokurorët duke iu referuar akt ekspertimit dolën në përfundimin se regjistrimet e audiopërgjimit të pretenduar, nuk janë origjinale dhe inskenim i 4 të pandehurve.
Në fund të procesit Ervin Salianji akuzoi Prokurorinë si zëdhënëse të Kryeministrit ,ndërsa kërkoi arrestimin e prokurorëve të dosjes “Babale”.
“Në komunikime të mëtejshme, pa diskutim që do të rikthehem për çdo akt që ka cituar prokuroria politike, pa diskutim për të arrestuar prokurorët e çështjes, të dy të larguar nga vettingu, prokurorët e parë që janë marrë me këtë çështje, si Gent Osmani, si Përparim Kulluri. Këta të dy që janë sot, do ta shihni nga vettingu apo nga të dhënat që do të bëjmë ne publike. Duhet thënë se kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër të përfshirë në llumin dhe batakun e korrupsionit”, tha Salianji.
Dy prokurorët Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, u shenjestruan edhe nga kryetari demokrat i cili i akuzoi për zbatim të planit të Edi Ramës.
Top Channel