Pompeo paralajmëron Lavrovin kundër ndërhyrjes në zgjedhje

10/12/2019 22:44

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për masa ndëshkimore, nëse Rusia ndërhyn në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2020.

“Për çështjen e ndërhyrjes në punët tona të brendshme, unë isha i qartë: ajo është e papranueshme”, tha Pompeo në një konferencë për media me Lavrovin, në Uashington.

“Nëse Rusia ose një aktor i huaj ndërmerr hapa për të minuar proceset tona demokratike, ne do të ndërmarrim masa”, shtoi Pompeo.

Lavrov i hodhi poshtë gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit president.

“E kam theksuar edhe një herë se të gjitha spekulimet në lidhje me ndërhyrjen tonë të pretenduar në proceset e brendshme në Shtetet e Bashkuara, janë të pabaza”, tha Lavrov.

Lavrov e përsëriti edhe një ofertë të Rusisë, që dy vendet të nënshkruajnë një marrëveshje për mosndërhyrje në punët e njëri-tjetrit.

Ka qenë e paraparë që Pompeo dhe Lavrov të bisedojnë edhe për krizat në Ukrainë dhe Siri, për kontrollin e armëve dhe çështje të tjera të lidhura me marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA