Një vëzhgues amerikan nuk ka gjetur të dhëna të paragjykimit politik kur Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka nisur hetime më 2016 për fushatën e presidentit amerikan, Donald Trump, pavarësisht “dështimeve serioze të performancës”.
Në raportin e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit amerikan të Drejtësisë, është thënë se byroja për zbatim të ligjit ka pasur autorizim për të nisur hetimet.
Megjithatë në raport është thënë edhe se në metodat e spiunimit gjatë hetimeve janë gjetur “pasaktësi dhe lëshime të mëdha”.
Në raportin 476 faqësh ka shumë hollësi që mund të jenë në të mirë të kritikëve por edhe mbështetësve të Trumpit.
Inspektori i Përgjithshëm, Michael Horowitz pati njoftuar për nisjen e hetimeve nga Departamenti i Drejtësisë për veprimet e FBI-së në mars të vitit të kaluar.
Që nga ajo kohë, ai ka rishikuar më shumë se 1 milion incizime dhe ka kryer më shumë se 100 intervista.
FBI-ja pati nisur hetime më 2016, pas dyshimeve për bashkëpunim në mes të fushatës së Trumpit dhe Qeverisë ruse para zgjedhjeve presidenciale të mbajtura atë vit në Shtetet e Bashkuara.
Në raportin e Horowitzit është thënë se shfrytëzimi i informatave konfidenciale nga ana e FBI-së, është bërë në përputhje me rregullat e agjencisë./REL
Top Channel