Mungesa e funksionimit të Qeverisë, do të pamundësojë që në tre muajt e parë të vitit 2020, buxheti i Kosovës të shfrytëzohet për investime në projekte të reja kapitale.
Me ligjet në fuqi, kur nuk ka qeveri funksionale, Buxheti i Kosovës do të shfrytëzohet vetëm për paga dhe investime që janë në proces realizimi.
Dy partitë që janë në diskutime për formimin e qeverisë kanë planifikuar dërgimin në Kuvend të projekt ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020 tek në afatin e fundit ligjor që është muaji mars.
Në Vetëvendosje thonë se u duhet më tepër kohë për hartim të buxhetit të ri.
Por skeptik për buxhetin e ardhshëm të Kosovës është shoqëria civile.
Nga Instituti GAP, Berat Thaqi thotë se në njërën anë miratimi i buxhetit duhet të bëhet sa më shpejtë e në anën tjetër afati i shkurtër për hartimin e projekteve të reja lë për të dëshiruar efektshmërinë e tyre.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë në rastet kur vendi ka shkuar në zgjedhje më pak se katër muaj para fillimit të vitit të ri fiskal, zgjatja buxhetore për dy muajt e parë të vitit të ri bëhet në mënyrë automatike.
Ligji parasheh edhe një muaj afat shtesë për zgjatje buxhetore për të cilin kërkohet shumicë e thjesht votash nga deputetet.
Nëse partitë nuk arrijnë formimin e Qeverisë apo miratimin e buxhetit deri në muajin mars atëherë buxheti i vendit do të bllokohet duke u pamundësuar pagesat për paga, mëditje, pensione e projekte të reja kapitale, në përjashtim të pagesave për borxhet e jashtme.
Top Channel