SHBA do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të KB të marrë në konsideratë lëshimet e fundit të raketave të Koresë së Veriut dhe mundësinë e një provokimi përshkallëzues nga regjimi komunist i Phenianit.
Kjo është bërë e ditur nga një zyrtar i pa emëruar pranë Departamentit të Shtetit. Tani për tani nuk dihet se kur do të mbahet takimi apo nëse ai do të jetë publik, transmeton Reuters.
Të paktën tetë vende në Këshillin e Sigurimit 15 anëtarësh kërkuan një takim mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut të martën, por vendimi përfundimtar është në Uashington, thanë diplomatët.
“Departamenti i Shtetit ka udhëzuar Misionin e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara të propozojë mbajtjen e një debati mbi Korenë e Veriut në Këshillin e Sigurimit të KB këtë javë, duke përfshirë bisedime të gjera për zhvillimet e fundit në Gadishullin Korean, si dhe lëshimet e fundit të raketave dhe mundësinë e një provokimi të Koresë së Veriut”, tha një zyrtar amerikan.Takimi do të vinte në një kohë të tensionit në rritje midis Uashingtonit dhe Phenianit.
Top Channel