Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, do të qëndrojë në Uashington, ku do të takojë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Departamenti amerikan i Shtetit tha përmes një deklarate se dy diplomatët “do të diskutojnë një varg çështjesh rajonale dhe dypalëshe”.
Sipas disa mediave, Pompeo dhe Lavrov do të bisedojnë për krizat në Ukrainë dhe Siri, për kontrollin e armëve dhe çështje të tjera të lidhura me marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Rusi.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se takimi është përgatitur për 10 dhjetor, por nuk dha më shumë detaje.
Pompeo dhe Lavrov janë takuar disa herë gjatë vitit të fundit dhe kanë biseduar herë pas here me telefon.
Nuk është e qartë nëse Lavrov do të takojë presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë vizitës në Uashington.
Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë tensionuar për shkak të aneksimit të dhunshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, pikëpamjeve të ndryshme për luftën në Siri, ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet në SHBA e të tjera.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë tërhequr po ashtu nga një marrëveshje për kontrollin e armëve bërthamore.
Top Channel