Më 9 dhjetor të vitit 1946, në Nurmberg, fillon gjykim i mjekëve nazistë nën akuzat se ishin përfshirë në eksperimente me njerëz dhe në vrasje masive nën maskën e eutanazisë.
Ndërsa, në vitin 2017 ka nisur identifikimi i dhjetëra mijëra viktima të eksperimenteve naziste. Ky identifikim do të zgjasë deri në vitin 2020, ku njerëzit të cilët deri tash ishin veç numra me diagnoza, më në fund do të kenë një varrim dinjitoz.
Në arkivat e Institutit Max Planck në Munih, ende ka mostra të trurit të një numri të madh njerëzish. Në disa raste fjala është për trurin e plotë e në disa raste veç copëza në formalinë.
Shumë prej tyre i përkisnin viktimave të regjimit nazist, që u viktimizuan veç pse ishin të sëmurë apo të prapambetur mendërisht. Sipas ideologjisë së Hitlerit, ata konsiderohen ‘lebensunwert’, pra të padenjë për të jetuar. Ndaj, u bënë pjesë e projektit të spastrimit racor të nisur nga lideri nazist.
Në burokracinë e atëhershme gjermane, vrasja e rreth 300 mijë njerëzve ishte përfshirë në ‘eutanazinë e programit T4’. ‘Lebensunwert-ët’ u vranë dhe truri i tyre ka përfunduar në laboratorë, ku janë bërë kërkimet për çrregullimet neurologjike.
Nëse mjekët nazistë sëmundjen e dikujt e cilësonin si “interesante”, ata mund të kërkonin trurin e tij apo të merrnin copëza të trurit edhe kur ishin gjallë.
Duke pas parasysh ngjarjet e luftës, kohë për kërkime nuk kishte dhe mostrat janë ruajtur nëpër laboratorë në formalinë.
Disa megjithatë u bënë pjesë e kërkimeve të mjekëve dhe shkencëtarëve të udhëhequr nga famëkeqi Joseph Mengele. Shumë nga “zbulimet” e tij janë përfshirë në tekstet e mjekësisë anembanë botës, e në bazë të mostrave të ruajtura janë publikuar shumë punime, por rrallëkush ka cekur origjinën e mostrave mbi bazën e të cilave u bënë studimet.
Fati i personave të sëmurë dhe me të meta mendore ishte përcaktuar që në fillim të sundimit nazist, kur ligji përcaktoi sterilizimin e tyre. Po ashtu u soll vendimi që gratë shtatzëna, te të cilat vërtetohet se fëmija po rritet jo si duhet, do të detyrohen në abort që të lindin vetëm “arianët e duhur e të pastër”!
Një ekip i shkencëtarëve nga Gjermania, Austria, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, po shqyrtojnë këto mostra për të përcaktuar përfundimisht emrat dhe mbiemrat e viktimave që deri më tani kanë qenë veç numra te të cilat qëndronte diagnoza.
Identiteti i viktimave duhet të përcaktohet në tri vitet e ardhshme. Kjo do të jetë një punë e madhe, por me synimin që këto viktima të kenë një varrim të denjë.
Diçka e ngjashme është bërë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur 100 mijë mostrat e indeve njerëzore u varrosën në një varr të përbashkët në Munih. Fjala ishte për pjesët e trupit të viktimave të eutanazisë, të viktimave të eksperimenteve mjekësore, të të burgosurve të kampeve, punëtorëve të detyruar dhe kundërshtarëve të regjimit nazist.
Top Channel