Shkëmbehen të burgosurit/ Irani liron studentin, Amerika shkencëtarin

08/12/2019 22:00

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer të burgosur. Ky njoftim vjen në kohën kur tensionet ndërmjet dy shteteve janë të mëdha. Xiyue Wang, student i arrestuar nga Irani, është përfshirë në këtë shkëmbim. Në anën tjetër, SHBA-ja ka liruar shkencëtarin iranian, Massoud Soleimani.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump ka deklaruar se Wang është i lirë dhe se ai “do të rikthehet në Shtetet e Bashkuara”. Më herë, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, kishte njoftuar në Twitter se shkëmbimi i të burgosurve do të bëhej së shpejti.

Ambasada zvicerane në Teheran përkujdeset për interesat amerikane në vend për shkak se ambasada amerikane në këtë shtet është e mbyllur që prej vitit 1979.

Xiyue Wang, shtetas amerikan dhe student i diplomuar në Universitetin Princeton, ishte duke kryer kërkime për tezën e diplomës së tij në Iran më 2016, kur u arrestua dhe u akuzua nga Irani për “spiunim”, një pretendim që familja e tij, por edhe universiteti Princeton e mohojnë.

Ai më pas u dënua për spiunazh me 10 vjet burgim. Ndërkaq, Massoud Soleimani, ekspert i qelizave, ishte arrestuar në Çikago në tetorin e vitit 2018, nën akuza se ka tentuar të eksportojë paligjshëm materiale biologjike në Iran, që është në kundërshtim me sanksionet që SHBA-ja ka vendosur kundër Iranit, për shkak të programit të tij bërthamor.

Tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit janë rritur që prej se president Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore dhe rivendosi sanksionet e ashpra ekonomike ndaj Republikës Islamike.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA