I mbijetuari i holokaustit, Josef Lewcowicz rrëfeu për The Sun sesi ishte vetëm 14 vjeç kur ju caktua puna e tij e parë, heqja me lopatë e skeleteve të njerëzve në kampin e tmerrshëm të përqendrimit në Płaszów.
Ky moment do të shënonte fillimin e tre viteve që ndryshuan një herë e përgjithmonë jetën e adoleshentit polak, periudhë kjo përgjatë së cilës u dërgua në 5 kampe brutale ku pa, siç thotë, të burgosur të uritur të vrisnin, copëtonin e hanin një djalë të vogël dhe roje mizore që detyronin njerëzit të hidheshin nga shkëmbinjtë.
Makthet e përjetuara asosohe e përndjekin edhe sot Josefin të cilit nazistët i vranë të gjithë pjesëtarët e familjes. “Kam parë aq shumë mizori“, thotë ai. “ Rrahje, vrasje, varje, një egërsi që arrinte deri në atë pikë sa nuk bënte më përshtypje“, shton 93 vjeçari në rrëfimin e tij për “The Sun`.
Josef nuk e fsheh tronditjen që i shkakton rritja e antisemitizmit sërish nëpër botë. Problemi vjen si nga ekstremi i djathtë, ashtu edhe nga ai i majtë.
Vitin e kaluar, fyerjet ndaj hebrenjve në Francë janë shtuar në masën 74%, ndërsa në Gjermani u rritën më 60% sulmet e dhunshme ndaj tyre. Holokausti duket po zbehet nga kujtesa, dhe Josef thotë se e tregoi historinë e tij të tmerrshme me shpresën që kështu të japë ndihmesën e tij, që e vërteta e tmerrshme të mos humbasë, por të ruhet e gjallë edhe për brezat që do të vijnë.
Top Channel