Qira është një nga fjalët që po përdoret më shumë këto ditë, pas fjalës tërmet. Katastrofa natyrore ka tronditur edhe çmimet e qirave të banesave. Ka një rritje të madhe të kërkesave për shtëpi me qira, dhe në këto kushte çmimet kanë bërë të vetën.
“Nga 180 mijë lekë kanë shkuar në 250, nga 300 në 350 mijë lekë, thotë një studente. Ka rritje të qirave, njoh njerëz që po kërkojnë dhe që ankohen për rritjen e tyre”,shprehen qytetarët.
“Aktualisht ne kemi shumë herë më tepër kërkesa si agjenci imobiliare. Kërkesat janë 5 fishuar mund të them. Qiratë janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten, se ka shumë kërkesa. Tashmë u stabilizua pjesa, se cilat godina janë të sigurta dhe cilat jo. Dhe njerëzit po orientohen drejt cilësisë tashmë dhe jo drejt sasisë”, ka thënë Eglent Bici.
Me një përvojë të gjatë në tregun imobiliar agjenti thekson zonat e kryeqytetit ku është më e ndjeshme rritja e qirasë.
“Në zonat Astirit, Fresku, Don Bosko, 5 Maji, ka rritje me të madhe të kërkesës, veçanërisht gjatë dy javëve. Një banesë 200 mijë lekë, tani jepet 240-250 mijë lekë”, shprehet Bici.
Nga tërmeti të gjithë kanë nxjerrë mësimit e veta. Tani po vihet re edhe një trend tjetër.
“Njerëzit po investojnë në banesa private, për t’i dhënë me qira. Është shtruar kërkesa për apartamente ose godina të vogla të ulëta, dhe jo të larta. Madje ka shumë kërkesa për shtëpi private nëpër zona të Tiranës”, shton ai.
Juli Ristani
Top Channel