Në një raportim Live nga Durrësi për studion e lajmeve të Top Channel ishte gazetarja Elda Menga.

Gazetarja ndodhej në bllokun e pallateve 901 në qytetin e Durrësit me disa banorë të pallateve. Banorët u shprehen njëzëri, që i kanë nxjerrë nga banesat e tyre të cilat ruhen nga efektiv të policisë, dhe nuk lejohen që të marrin sendet me vlerë në brendësi të tyre.

Duke shtuar që deri më tani nuk ka ardhur asnjë ekspert për ta inspektuar dhe për të vlerësuar nëse këto banesa janë apo jo të banueshme.

“Jam shumë i kënaqur me shtetin për akomodimin në hotel. Por jam kundër kësaj që po bëhet. Deri më tani nuk ka ardhur askush për të inspektuar godinën ku ne jetojmë dhe ta vlerësojë nëse është e banueshme ose jo. Në hyrje të pallatit ndodhen forca policie të cilët nuk na lejojnë që të futemi brenda për të tërhequr sendet me vlerë. Jam shumë i vetëdijshëm që ka dhe shumë pallate për tu inspektuar dhe mendoja se nuk na ka ardhur radha, por një pallat ngjitur me ne është inspektuar. Këtë nuk e kuptoj. Në hotele është abuzuar kanë shkuar persona të cilët kanë shtëpi dhe janë lënë jashtë ata që nuk kanë”, tha banori.

Një tjetër zonjë e cila ishte banuese në atë lagje, u shpreh që sipas saj qeveria është në këmbë dhe e vlerëson qëndrimin e efektivëve të policisë në hyrje të pallatit, sepse duan të ruajnë sigurinë e tyre. Por ajo u shpreh skeptike se përse deri më tani nuk ka ardhur askush për të inspektuar.

“Qeveria është në këmbë. Efektivët e policisë bëjnë shumë mirë që qëndrojnë në hyrje të pallatit, sepse ne e dimë që kur bien një tërmet i fuqishëm shoqërohet me shumë pas lëkundje, dhe hyrja jonë në të përbën rrezik. Por jam kundër se përse deri më tani nuk ka ardhur askush për të inspektuar pallatin ku banojmë. Ne kemi nevojë për një vlerësim nga ana e ekspertëve, për të na thënë nëse pallati ku ne banojmë është i banueshëm ose jo, deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, u shpreh zonja.

Top Channel