Kryeministri shqiptar u shpreh i kënaqur me ndihmën ndërkombëtare që siguroi në samitin e Nato-s për vendin e goditur nga një tërmet i magnitudës 6,4 që vrau 51 persona plagosur mbi 3000 të tjerë, thotë Washington post.
Gazeta prestigjoze citon shefin e qeverisë Edi Rama të pohonte se reagimi ndaj aspiratës së tij për mbajtjen e një konference ndërkombëtare donatorësh kishte qenë mjaft pozitive.
Ndërkohë, edhe Turqia do të zhvillojë një konferencë të ngjashme dhurimesh në mbështetje të Shqipërisë. Vetë Rama e pohoi se do të udhëtojë drejt Stambollit për të marrë pjesë në takimin e organizuar nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan me investitorë dhe biznesmenë, ku do të ketë një panel special për çështjen e Shqipërisë.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, Turqia mori përsipër të ndërtojë 500 banesa të reja. Deri tani, dy avionë turq kanë mbërritur në Shqipëri, me ndihma për familjet e prekura nga tërmeti. Sakaq, Bullgaria ka dërguar së fundi 12 inxhinjerë ndërtimi për të asistuar në procesin e vlerësimit të banesave të prekura nga tërmeti i fuqishëm. Një kërkesë të tillë, ministri Gent Cakaj ia kishte bërë në telefon zëvendës kryeministres bullgare, dhe ministres së jashtme Ekaterina Zaharieva. The Sofia Globe shkruan se Cakaj shprehu falënderime për Zaharievan, duke thënë se reagimi i Bullgarisë ishte ai i një miku të vërtetë, ndërsa citohet të ketë thënë se është vlerësuar që Shqipërisë i nevojiten afro 700 milion euro ndihmë.
Fill pas tërmetit, qeveria bullgare ndau rreth 100 000 euro si ndihmë financiare për Shqipërinë nga buxheti i Ministrisë së Jashtme.
Top Channel