SHBA-ja paralajmëron vendet partnere për rreziqet nga Huawei

06/12/2019 05:38

Shtetet e Bashkuara përgjatë viteve të kaluara kanë punuar ngushtë me partnerët e saj anëmbanë botës, për t’u siguruar se ata janë të vetëdijshëm për rrezikun e bashkëpunimit me kompanitë e teknologjisë “jo, të besueshme”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

“Misioni i Shteteve të Bashkuara ka qenë të ndajë ato informacione që posedon”, tha Pompeo gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e jashtëm të Portugalisë, Augusto Santos Silva.

Deklarata e Pompeos ishte përgjigje në pyetjen lidhur me synimet e kompanisë kineze “Huawei”, për përfshirje përmes rrjetit 5G në Portugali.

Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerësojnë se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

SHBA-ja dyshon se kjo kompani bashkëpunon me qeverinë kineze dhe se të dhënat e përdoruesve të saj nuk janë të sigurta.

Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të lidhjes së telefonave të mençur me internet dhe ofron shpejtësi të shkarkimin shumëfish më të shpejt sesa ekziston aktualisht.

Huawei me qendër në Kinë ka mohuar vazhdimisht akuzat e Uashingtonit.

“Ne e njohim sovranitetin e çdo vendi, të drejtën për të marrë vendime për veten e tyre, por jemi përpjekur që këto dy vitet e kaluara t’u bëjmë të qartë miqve tanë, në të gjithë botën, për rreziqet e këtyre bashkëpunimeve”, shtoi Pompeo.

Rregullatori i tregut të telekomunikacionit në Portugali, njoftoi në tetor se planifikon të zhvillojë një ankand vitin e ardhshëm, për të ndarë frekuencat e rrjetit 5G për operatorët kombëtarë.

Kompanitë kineze kanë bërë investime të konsiderueshme në Portugali.

Kompania lokale e telekomunikacionit Altice, operatori më i madh i vendit, ka njoftuar se po punon me Huawein për ta bërë Portugalinë një udhëheqës evropian në zhvillimin e rrjetit 5G./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA