Macron: E nevojshme një konferencë solidariteti me Shqipërinë

06/12/2019 07:08

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se një konferencë solidariteti për Shqipërinë është e nevojshme, dhe se ajo mund të zhvillohet në Francë.

Shefi i Elizesë është shprehur gjithashtu se konferenca në fjalë mund të bashkojë partnerë publikë dhe privatë për të organizuar rindërtimin e vendit.

DW thotë se qeveria shqiptare ende nuk i është përgjigjur këtij propozimi. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti konferencën e madhe të donatorëve, të propozuar nga kryetarja e komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, “sukses të madh” dhe se ajo krijon mundësinë “për qasje shtet me shtet”.

“Konferenca e madhe e donatorëve është një sukses, po të doni vendoseni edhe në thonjëza, sepse krijon premisën për një qasje shtet me shtet në raport me Shqipërinë dhe është një instrument ekstra mbi gjithë instrumentet e tjerë të financimit, me një potencial financimi të konsiderueshëm”, tha Rama.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës para tërmetit ishin të tensionuara për shkak të vetos së Francës në Këshillin e BE-së, e cila praktikisht bllokoi çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në Shqipëri ishte sot Komisioneri Europian i menaxhimit të krizave, Janez Lenarčič, i cili erdhi ta shihte nga afër gjendjen pas tërmetit tragjik të javës së kaluar. Takimi i parë i tij me kryeminstrin Edi Rama, ishte për vleresimin e nevojave pas tërmetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA