Kryebashkiaku falenderoi forcat zjarrfikëse për punën në përballimin e situatës

06/12/2019 17:42

Veliaj: “Jeni heronjtë e vërtetë të qytetit; 3 godina në Qytet Studenti do të prishen se rrezikojnë jetën e banorëve”

Zjarrfikësit janë padyshim heronjtë e përballimit të situatës së vështirë pas tërmetit të 26 nëntorit. Pavarësisht se mes tyre kishte edhe nga ata që humbën të afërmit e tyre në Thumanë, qëndruan në krye të detyrës për të shpëtuar çdo jetë nga rrënojat. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shprehu falenderimet e tij të gjithë trupës së zjarrfikëseve të kryeqytetit, të cilët rrezikuan jetën e tyre për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve në këto ditë të vështira.

“Doja që t’ua thosha personalisht, t’ju shtrëngoja dorën dhe t’ju falenderoja se jeni heronjtë e vërtetë të këtij qyteti! Na keni ndihmuar edhe në disa nga zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Durrësi dhe Thumana. Kur them faleminderit, nuk e kam thjesht si kryetar i Bashkisë, por fillimisht si prind dhe familjar. Në orën 4 pa 5, kur ra tërmeti, fillimisht të gjithë ishim prindi apo bashkëshorti i dikujt, por në pak minuta kuptuam se duhet të ishim në krye të detyrës si shërbëtor publik të këtij qyteti dhe të këtij vendi. Ju jam shumë mirënjohës! E gjithë përgatitja për të qenë në gatishmëri, ndonjëherë edhe me mjetet jo perfekte, por me shpirtin, zemrën dhe mendjen e fokusuar, ia ka vlejtur. Përkulem me respekt, ju falenderoj me gjithë zemër dhe ju konsideroj të gjithë motra dhe vëllezër të një qyteti, të një shërbimi, të një kauze dhe misioni”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se kontributi i tyre ishte dyfish i vlefshëm, pasi nuk i shërbyen vetëm qytetarëve të Tiranës, por edhe atyre në zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Thumana dhe Durrësi. “E vlerësoj shumë faktin që patëm dy skuadra: veç asaj në Tiranë, patëm edhe një tjetër në Durrës dhe Thumanë. E çmoj shumë sepse para se të jemi të lidhur me logon e Bashkisë, jemi shqiptarë. Më vjen mirë që në pak minuta morëm disa vendime që të linim një skuadër të kujdesej për Tiranën dhe dy skuadra të tjera për situatën në Durrës dhe Thumanë. Jam i përkushtuar që kjo frymë e solidaritetit të vazhdojë, jo vetëm në nivelin e zjarrfikëseve dhe atyre që punuan për emergjencat, por edhe me shkollat. Do t’i kërkoj fëmijëve të çdo shkolle që të përgatisin dhurata për fëmijët e shkollave në Durrës dhe Thumanë, apo edhe qyteteve të tjera, sepse siç thotë populli, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq”, tha Veliaj.

Por, ndonëse duhet të ishin në krye të detyrës, aty ku dhjetra jetë prisnin ndihmë për të shpëtuar nga rrënojat, kishte nga ata zjarrfikës heronj që në këtë tragjedi kishin humbur familjarët e tyre. Kryebashkiaku Veliaj i shprehu ngushëllimet efektivit të zjarrfikësve, Arben Cara, për humbjen e të afërmeve të tij në Thumanë dhe theksoi se Tirana mbetet një derë e hapur për pritjen e të gjitha familjeve që kanë mbetur pa strehë në Thumanë dhe Durrës.

“Dua t’i jap ngushëllimet mikut tonë, Arbenit, që humbi të afërmit e vet në Thumanë. Dy herë më e vështirë, të qenit i fokusuar si uniformë e shtetit dhe qytetit tonë për të shërbyer, edhe si familjar i prekur. Gjithë lutjet tona, zemrat tona janë me ty miku im në këtë moment të vështirë. Shtëpitë tona janë të hapura. Ne kemi rezervuar për të gjitha familjet e Thumanës dhe të Durrësit apartamente në Tiranë. E kuptoj fare mirë që për të gjithë të mbijetuarit, qoftë edhe largimi fizik nga vendi i fatkeqësisë, është një lloj terapie, vetëm të qenit në një distancë tjetër, larg vendit ku ndodhi tragjedia. Kështu që, mezi pres, që siç na ke shërbyer ne, tani të të shërbejmë ty edhe familjes tënde. Të jam dyfish mirënjohës”, u shpreh Veliaj.

E ndërsa më e keqja ka kaluar dhe aktiviteti sizmik po shkon drejt shuarjes së plotë, Veliaj theksoi se për trupat e zjarrfikëseve të Tiranës ka ende punë, për të shmangur çdo rrezik që mund t’i kanoset qytetarëve. “Ju që jeni profesionistë, e dini që nuk ka mbaruar, e dini që ka ende tulla për t’u hequr, oxhaqe për t’u çmontuar e parapeta për t’u kujdesur. Pra, ka ende vende të rrezikshme. Në fakt, i vetmi fatalitet që patëm në Tiranë ishte nga një parapetë që u shemb nga tarraca e një pallati. Sa kohë që kemi ende pallate ku kërkohet të çmontohet oxhaku, të largohet parapeta, të ulet një parvaz, apo të hiqet edhe tulla e fundit, misioni ynë nuk ka mbaruar”, tha ai.

Sipas Veliajt, Bashkia e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë forcat zjarrfikëse të qytetit do të jenë në gatishmëri të plotë deri në festat e fundvitit. Ai shtoi se ky duhet të jetë një moment ku e gjithë shoqëria jonë të reflektojë dhe të bëhet më e mirë dhe më solidare. “Nga kjo e keqe, a mund të vijë një e mirë, të dalim më të fortë? A mund të jemi më solidarë? A mund të shahemi më pak? A mund të duhemi më shumë? A mund të vëmë më pak stërkëmbësha? A mund të shtrëngojmë më shumë duar? A mund të rrahim më shumë shpatulla sesa thika pas shpine? Nëse arrijmë si komb të dalim më të bashkuar, më të përkushtuar, me më shumë dashuri dhe vëllazëri, atëherë realisht nga kjo e keqe mund të vijë një e mirë, nga ferra mund të dalë një trëndafil. Shenjat e para i keni dhënë ju, me bashkëpunimin dhe devotshmërinë tuaj”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se do të vijojë edhe shembja e tre godinave të amortizuara në Qytetin Studenti, të cilat për shkak të tërmetit janë kthyer në rrezik për jetën e banorëve në atë zonë. Ndërsa, sa i përket strehimit të banorëve që i kishin zaptuar ato, ai tha se ata do të trajtohen njësoj si qytetarët e tjerë të prekur nga tërmeti.

Top Channel