Franca, konferencë donatorësh/ Komisioneri i krizave të BE në Tiranë: Presim vlerësimin për nevojat

05/12/2019 19:55

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se një konferencë solidariteti për Shqipërinë eshte e nevojshme, dhe se ajo mund të zhvillohet në Francë.

Shefi i Elizesë është shprehur gjithashtu se konferenca ne fjale mund të bashkojë partnerë publikë dhe privatë për të organizuar rindërtimin e vendit. DW thotë se qeveria shqiptare ende nuk i është përgjigjur këtij propozimi. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti konferencën e madhe të donatorëve, të propozuar nga kryetarja e komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, “sukses të madh” dhe se ajo krijon mundësinë “për qasje shtet me shtet”:

“Konferenca e madhe e donatorëve është një sukses, po të doni vendoseni edhe në thonjëza, sepse krijon premisën për një qasje shtet me shtet në raport me Shqipërinë dhe është një instrument ekstra mbi gjithë instrumentet e tjerë të financimit, me një potencial financimi të konsiderueshëm”, tha Rama.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës para tërmetit ishin të tensionuara për shkak të vetos së Francës në Këshillin e BE-së, e cila praktikisht bllokoi çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në Shqipëri ishte sot Komisioneri Evropian i menaxhimit të krizave, Janez Lenarčič, i cili erdhi ta shihte nga  afër gjendjen pas tërmetit tragjik të javës së kaluar. Takimi i pare i tij me kryeministrin Edi Rama, ishte për vlerësimin e nevojave pas tërmetit.

“Ka një parakusht, është vlerësimi i nevojave pas kësaj fatkeqësie. Jemi lidhur me OKB-në me institucionet financiare. Do të jetë një punë shumë e rëndësishme, pasi do të  orientojë këto çështje te vlerësimi i nevojave. Gjërat po shkojnë sikur duhet.  Të përfshihen edhe ndryshime në parandalimi”, u shpreh  Lenarčič.

Të mërkurën, Komisioni Europian njoftoi se ka vënë në dispozicion 15 milionë euro për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të përballojë nevojat emergjente të shkaktuara nga tërmeti.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA