Taksat franceze në internet janë shndërruar në mollë sherri mes Francës dhe SHBA. Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar Parisin, ndërsa Parisi nuk shqetësohet shumë.

Grindjet mes Francës dhe SHBA për taksa kanë marrë përmasa serioze. Franca ka paralajmëruar futjen e taksave digjitale, që ka shqetësuar autoritetet amerikane, për shkak se koncernet më të mëdha të internetit vijnë nga ky vend. Këto taksa diskriminojnë sipërmarrjet amerikane, tha përfaqësuesi amerikan për tregti Robert Lighthizer.

Janë paralajmëruar ngritje të tatimeve amerikane si kundërmasë deri në 100 % për importe në vlerë deri në 2,4 miliardë dollarë, thuhet në Uashington. Lighthizer ka publikuar një listë ku ndër tjerash gjenden edhe Champagne, lloje të ndryshme të djathërave, prodhimet kozmetike dhe çantat e dorës nga Franca.

Nëse vërtetë do të futen këto masa ndëshkuese do të vendoset në janar, ndërsa në fuqi do të futen një muaj më vonë. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar në verë tatime ndaj mallrave ushqimore franceze, në radhë të parë ndaj verërave, nëse presidenti francez Emmanuel Macron vazhdon me politikën e tij.

Franca mbetet në qëndrimet e saj

Ministri francez i Ekonomisë Bruno Le Maire theksoi se vendi i tij “kurrë” nuk do të heqë dorë nga taksat digjitale. SHBA duket se nuk është e gatshme të nënshkruajnë një marrëveshje ndërkombëtare për këto taksa. Uashingtoni ka propozuar së pari gjetjen e një zgjidhje në kuadër të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), por tani as kjo nuk është e sigurt, tha Le Maire për radion France Inter.

Tatimet e ashtuquajtura GAFA, të quajtura sipas shkronjave të para të gjigantëve të internetit – Google, Amazon, Facebook dhe Apple – do t’i sjellin Francës këtë vit rreth 400 milionë Euro. Ndërsa vitin e ardhshëm rreth 650 milionë, thonë autoritetet franceze. Franca thotë se ndaj këtyre koncerneve do të fusë taksa në vlerë prej 3%. Taksa të ngjashme kanë paralajmëruar edhe Austria, Italia dhe Turqia.

SHBA nga ana tjetër ka paralajmëruar këtë të hënë ngritjen e taksave ndaj prodhimeve të hekurit dhe aluminit nga Brazili dhe Argjentina. E gjitha kjo ka shkaktuar lëvizje serioze në tregjet ndërkombëtare financiare./ DW /

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA