“Shumë zhurmë për asgjë”/ Lleshaj nga një pallat në Lezhë: Nuk ka rrezik, banorët të kthehen në shtëpi

04/12/2019 16:12

Gjatë inspektimit të një pallati në Lezhë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u ka kërkuar banorëve të kthehen në banesat e tyre pasi nga inspektimi i bërë prej grupeve të ekspertëve shqiptarë dhe të huaj (izraelitë), godina nuk paraqet asnjë rrezik.

Banorët e këtij pallati, nga ana e tyre bëjnë me dijeni se ekspertët nuk kanë dhënë asnjë garanci për këtë pallat .

Lleshaj e ka cilësuar situatën si “shumë zhurmë për asgjë” dhe ka kërkuar që të fokusohen në problematikat e rënda të vendit, aty ku realisht sipas tij ka probleme serioze.

“Kam ardhur për të parë edhe njëherë shqetësimet që kanë ngritur banorët e këtij pallati. Po ta shkurtoja gjithë përkufizimin e kësaj situate, kësaj i thonë shumë zhurmë për asgjë. Në harkun e 24 orëve janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe një nga ekspertë izraelitë dhe konkluzioni është i njëjtë, – pallati nuk ka asnjë problem me sigurinë e tij.  E gjithë zhurma e ngritur është një “shumë zhurmë për asgjë”, dhe me këtë rast dua t’i ftoj të gjithë banorët e pallatit që të kthehen në shtëpitë e tyre, t’i kthehen jetës normale dhe të na lënë mundësi të merremi me problemet e shumta që ka në vendet e tjera. Problemet nuk janë në këtë pallat. Probleme ka shumë, tërmeti ka krijuar shumë probleme, por jo këtu.
Problemet janë gjetiu, janë në Laç, janë në Durrës, janë në Thumanë e të tjera. Këtu njerëzit duhet të kthehen në jetën e tyre të përditshme, sepse nuk ka asgjë për t’u shënuar dhe asgjë për t’u shqetësuar. Nuk ka asnjë problem me sigurinë e këtij pallati të çertifikuar dy herë brenda 24 orëve, dhe banorët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Dhe ju lutem të gjithë atyre që po e përdorin këtë kohë për të bërë zhurmë, të mos bëjnë zhurmë kot. Ata që kanë mundësi për të ndihmuar, le të bashkohen me forcat që po ndihmojnë, ashtu siç kanë ardhur njerëz e ekspertë nga gjithë bota, për të na ndihmuar, lus të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë,- të ndihmojnë, – dhe lus të gjithë ata që nuk kanë ndërmend të ndihmojnë, – të paktën të heshtin dhe të mos përhapin, as panik, as të mos ngatërrojnë. Kjo është ajo që kërkohet. Ose të ndihmojnë, ose të tërhiqen dhe të mos ngatërrojnë njerëzit. Vëllezër e motra, të gjithëve ju ftoj edhe njëherë: – kthehuni në shtëpitë tuaja, pallati është i qendrueshëm, i konfirmuar dy herë, nga dy palë ekspertësh, shqiptarë dhe izraelitë! Ju ftoj të ktheheni në shtëpitë tuaja dhe mbyllni veshët për çdo njeri që përhap lajme të pavërteta dhe të pasakta”, u shpreh Lleshaj.

Top Channel