Disa nxënës nga Danimarka ishin në një ekskursion shkolle në vitin 2011, kur një grup prej tyre ranë në ujin e akullt dhe shtatë vetave u ndaloi zemra nga i ftohti. Sot nxënësit e kujtojnë si një makth të largët ditën kur varka e tyre u përmbys në det.
“Ishte shumë ftohtë. Uji kishte copa akulli”, kujton Katerina, një prej vajzave teksa përlotet. “Unë rashë poshtë varkës dhe kur dola në sipërfaqe nisi makthi i vërtetë. Të gjithë bërtisnin e çdo gjë dukej surreale. Na rrethonte paniku. Mësuesi tha që duhej të notonim jashtë, ose do të vdisnim”
“Nuk notoja dot. Një shok u përpoq të më ndihmojë, por shumë shpejt isha në vdekje klinike për shkak të temperaturës së ujit”, thotë Kasperi, një prej djemve të cilit i pushoi zemra.
Megjithatë, Katerina arriti të notojë deri në breg, por doli në një pyll të humbur dhe pa asnjeri rrotull.
“Ishte e vështirë, sepse s’kisha më fuqi në këmbë. Vazhdoja të rrëzohesha. Në atë çast isha e sigurt që do të vdisja. Pastaj pashë një burrë. Falë Zotit. Dhe kur e pashë, nisa të bërtas fort”, tregon ajo.
Burri njoftoi urgjencën, të cilët erdhën menjëherë me helikopter. Ai u thoshte mjekëve “Kanë vdekur”, teksa i çonte te fëmijët që nuk i kishin dhënë shenja jete. Por mjekët e dinin se kur janë aq të ftohtë në trup, edhe pse janë teknikisht të vdekur, me zemrën e ndaluar, ka ende shpresa për t’i rikthyer në jetë, pasi hipotermia u ndalon zemrën por dhe metabolizmin. Kjo do të thotë që organet mund të rikthehen në punë po të ngrohen me kujdes.
Ata nisën t’ia ngrohin temperaturën e trupit me nga 1 gradë për çdo 10 minuta. Djali, Kasperi, e kishte temperaturën e trupit 17.5 kur e gjetën mjekët. Kur temperatura i arriti 26 gradë C, zemra nisi t’i rrahë sërish. Por në mungesë të oksigjenit, trurit i vdesin 2 milionë qeliza në çdo minutë që kalon, ndaj vëmendja e mjekëve u kthye aty, pasi nuk dihej nëse do të zgjoheshin pa pasoja.
Ata u mbajtën në koma dhe me respirator, pasi nuk ishin të aftë të merrnin frymë vetë. Pas disa ditësh, nxënësit u zgjuan dhe për fat ishin në rregull. Megjithatë, ata thonë se nuk ndihen më si më parë. Sidomos për sa i përkishte kujtesës së mësimeve në shkollë, të cilat nuk i fiksojnë dot mirë. Por skaneri nuk tregon asgjë të gabuar, ndaj mjekët janë të kënaqur që aksidenti me numrin më të madh të viktimave të hipotermisë përfundoi pozitivisht.
Top Channel