“Batërdi e vërtetë”/ Basha këmbëngul te plani 3-pikësh: 500 inxhinierë janë gati të kontribuojnë vullnetarisht

03/12/2019 14:25

Në një takim me banorët në zonën e Hidrovorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se ka parë me sytë e tij dëme të jashtëzakonshme në Durrës, si dhe i mëshoi sërish planit të tij 3-pikësh për daljen nga situata e emergjencës.

“Dëmet janë kudo në kampin e çadrave. Në Manëz është një batërdi e vërtetë, balta ka shkuar deri në gju, ka nga foshnje një muajshe deri te pleq 90 vjeç, të sëmurë. Ka dy objekte shkollore, janë certifikuar jashtë rrezikut ndaj s’ka pse familjarët të rrinë në llucë. Është natë e gjatë. Kam bërë thirrje që askush të mos qëndrojë në çadër, pak kilometra nga Durrësi familjet e  5 pallateve janë në llucë, në baltë, pa ndihma; ankohen për seleksionim, ankohen që marrin ata që kanë më pak nevojë”, u shpreh Basha.

Më tej shtoi:

“Ankesat janë masive, s’jam në gjendje t’i verifikoj, në mes të shiu, askush nuk duhet të qëndrojë në çadra. Jam i revoltuar dhe i shqetësuar me situatën në Ishëm, në Bubq, në Durrës në lagjen 7, paralizë totale. Përsëris thirrjen time, kemi propozuar 3 pika për të gjithë ata që kanë veshë e duan të dëgjojnë. Të përshpejtojnë procesin e vlerësimit, ka filluar dimri, është ftohtë, bie shi.  500 inxhinierë janë gati të kontribuojnë vullnetarisht për përshpejtimin e vlerësimit. Paratë e oligarkëve t’i dërgojë tek ata që kanë nevojë. Të gjithë fshatrat rreth e qark Durrësit janë totalisht të goditura.  Jemi në kohë emergjence, s’është çështje gare, por mirorganizimi.”

Top Channel