Japonia njihet si një prej vendeve me intensitet dhe lëvizje sizmike të shumta dhe si e tillë është kthyer në një nga shtetet prej të cilit mund të mësojmë shumë sa i përket mjeteve dhe mënyrave që mund të përdorim për të përballuar situatat kur ndodh një tërmet i përmasave të mëdha.
Tokyo, ku jeton dhe ¼ e popullsisë japoneze është një prej qyteteve më të prekura nga tërmetet ndaj aty mund të gjejmë dhe shembujt më të mirë të asaj që mund të implementojmë në vend.
Në një emision live, kushtuar situatës kaotike pas tërmetit që goditi rëndë vendin, në rubrikën “Esape” në “E Diell”, Alba Canaj e cila momentalisht ndodhet në Japoni në një trajnim për “Menaxhimin urban” ka ndarë ato që ajo ka mësuar nga inxhinierët, teknikët dhe ekspertët japonezë mbi situatën e tërmeteve me intensitet mbi mesataren.
Alba ka treguar se në Japoni, tërmetet ndodhin vazhdimisht dhe angazhimi vazhdon që në kopsht për sensibilizimin që në mosha të vogla.
“Duke qenë se japonezët njihen për filmat e tyre të animuar, çdo gjë e madje dhe sensibilizimi i komunitetit për tërmetet përkthehet në animacione, filma vizatimorë. Gjatë tërmeteve, japonezët janë të sensibilizuar se si duhet të veprojnë. Ata përdorin kaska ose në mungesë të tyre përdorin jastëkë. Nuk duhet të lëvizin nga vendi gjatë lëkundjeve, duhet të presin që lëkundjet të përfundojnë për të lëvizur më pas. E rëndësishme është që situata të flitet dhe të bëhet pjesë e diskutimeve mes banorëve, në shtëpi, shkollë apo punë, ata e flasin midis tyre. Gjithashtu paraprakisht japonezët kanë çanta emergjence për tërmetet të cilat përfshijnë, ujë, ushqime për minimalisht tre ditë pas tërmetit, pra 9 vakte ose më shumë, karikues për pajisjet si celularë si dhe biper që shërben për të komunikuar në rast se ndërpriten rrjetet telefonike me spitalet, zjarrfikset dhe policinë”,” ka zbuluar Alba.
Gjithashtu ajo ka shtuar se ka një bashkëpunim shumë të mirë midis institucioneve, bizneseve dhe pozicioneve të punës. Ka bashkëpunim midis bashkive, prefektuarave që duhet të sigurojnë kushtet bazë për kushtet higjeno-sanitare, furnizimin me ujë dhe fjetje për të gjithë qytetarët kudo që ndodhen duke qenë në gatishmërinë e tyre. Bizneset i kanë të parapërgatitura situatat e emergjencës brenda ambienteve të tyre. E pyetur mbi situatën post-traumatike pasi ka kaluar tërmeti, Alba ka ndarë të tjera detaje.
“Në situatat e tërmeteve çdo gjë është e digjitalizuar, përdoret një aplikacion i aksesushëm nga çdokush, një sistem alarmi që njofton çdo person që është pjesë e rrezes së veprimit të tërmetit. Nëpërrmjet këtij aplikacioni njoftohet dhe kush është pika më e afërt ku qytetarët mund të spostohen si pjesë e evakuimit. Në të njëjtën kohë ka dhe transmetime me audio, në qendra zëri të shpërndara në hapësira publike që informojnë për gjendjen pas tërmetit. Sa i përket ndërtesave të dëmtuara dhe çfarë ndodh me to pas tërmetit, Alba tregon se dhe në Japoni, ashtu si po diskutohet dhe në Shqipëri, bëhet rishikimi i standardeve të ndërtimit dhe gjithashtu janë vendosur dhe një sërë masash pas tërmetit të vitit 2011, për ri-sistemimin e objekteve të vjetra. Objektet e vjetra prej druri duhet të rikonstruktohen dhe të përshtaten me teknologjinë e re metalike, për të përballuar dëmtimet që mund të ndodhin në vijim. Gjithashtu midis themeleve të ndërtesës dhe tokës vendoset një tjetër shtresë për të amortizuar lëkundjet.”
Top Channel