Tërmeti me magnitudë 3.6 ballë të shkallës rihter, rënë të hënën në orën 21 e 57 minuta, 25 km në veri të Durrësit do të ishte i pari në radhë i një serie sizmash të forta me epiqendër Durrësin, Fushë-Krujën dhe Mamurrasin, pikërisht këto janë zonat ku janë edhe dëmet më të mëdha, fatkeqësisht me humbje jetësh njerëzish dhe shembje shtëpish apo objektesh të ndryshme.
Ndërkohë lëkundjet e fuqishme janë ndjerë në të gjithë Shqipërinë e Mesme, përfshirë kryeqytetin.
Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencës, tërmeti më i fortë me magnitude 6.3 të shkallës rihter u regjistrua në orën 03.54 minuta të së martës, 15 km në veri të Durrësit në një thellësi prej 38 km mbi sipërfaqen e tokës. Në terren janë raportuar disa shembje objektesh duke zënë nën rrënoja qytetarë dhe duke ndërprerë jetë njerëzish në mes në zonën e Durrësit dhe Fushë-Krujës.
Shembja e disa shtetasve të pallateve, ndërtesa disa katëshe, përfshirë vila në zonën e ish Kënetës në Durrës dhe deri në hotele në zonën e plazhit kanë angazhuar forca të shumta të emergjencave civile në operacione kërkim shpëtimi. Të pafat kanë qenë edhe disa banorë në Thumanë në Fushë Krujës, të cilët janë zënë nën rrënojat nga shembja e pallateve si pasojë e lëkundjeve tronditës. Por, nga ana tjetër ka pasur dhe histori shprese, me të mbijetuar të nxjerrë nga rrënojat.
Tërmete të forta me magnitudë mbi 4 ballë janë regjistruar në interval të ndryshme kohore pas lëkundjes kryesore. Në orën 07 e 08 minuta, epiqendra e tërmetit me magnitudë 5.5 ishte në Kepin e Rodonit. Kjo zonë ka qenë gjatë gjithë ditës së martë vatër lëkundjesh të ndryshme, ndërkohë që në zonat e prekura ka nisur ngritja e çadrave për të strehuar ata që shtëpitë tashmë I kanë të pabanueshme.
Top Channel