Kosova do të ndihmojë Shqipërinë me të gjitha kapacitetet teknike dhe financiare për të përballuar pasojat e shkaktuara nga tërmetet e së martës. Në një mbledhje urgjente, qeveria e Kosovës vendosi të ndante 500 mijë euro për Shqipërinë.
“Bazuar në gjendjen e cila ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë, Ministria e Financave i propozon Qeverisë së Kosovës që të ndajë një shumë fillestare prej 500 mijë euro për ndihmë për Republikën e Shqipërisë me rastin e tërmetit të ndodhur më 26.11.2019”, është thënë nga Ministria e Financave.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se përveç dërgimit të FSK dhe policisë në Shqipëri, ka urdhëruar edhe ndërmarrjet publike të dërgojnë njësi mbështetëse për ndihmë. Minierat e Trepçës dhe Artanës do të dërgojnë ekipet e tyre, e po ashtu edhe Korporata Energjetike e Kosovës dhe njësia e zjarrfikësve.
“Na është kërkuar prej institucioneve të Shqipërisë makineri e rëndë, kontraktorë të institucioneve tona kanë ndërmarrë menjëherë me shku sepse kërkohet hapja e arritjeve deri të vendi i gërmadhave ose objekteve të rrënuara”, shprehet Haradinaj.
Haradinaj i ka kërkuar agjencisë kosovare për menaxhimin e emergjencave të bëjë një vlerësim në shkallë vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit në rast se një fenomen i ngjashëm mund të prekë edhe Kosovën.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaci e ka shpallur ndërkohë të mërkurën ditë zie në vend në nder të viktimave që humbën jetën si pasojë e tërmetit në Shqipëri. “Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentit Thaçi.
Me vendimin e presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, shumë komuna të Kosovës kanë shfaqur solidaritet dhe disa prej tyre kanë vendosur të anulojnë edhe aktivitetet që ishin planifikuar të mbaheshin me rastin e festës së flamurit kombëtar.
Top Channel