Sot, në orët e hershme të mëngjesit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ka mobilizuar njësitet e saja policore të cilat i ka nisur në drejtim të Shqipërisë, për t’iu asistuar njësiteve emergjente të cilat janë të inkuadruara në operacionin e kërkim-shpëtimit, si pasojë e tërmetit të fuqishëm të ndodhur në disa lokacione të Shqipërisë.
Njësitet policore të PK-së, në përbërje prej njëqind e dhjetë (110) operatorëve të njësiteve të specializuara, të pajisura me pajisje të ndryshme logjistike, të cilat tanimë kanë kaluar kufirin e Kosovës, do të jenë në shërbim të autoriteteve të Shqipërisë dhe sipas nevojës emergjente do të operojnë në kërkim-shpëtim të banorëve që dyshohet se kanë mbetur nën gërmadha të objekteve të rrënuara.
Policia e Kosovës shpreh gatishmërinë e saj që të vejë në funksion të gjitha kapacitetet policore dhe logjistike, në përkrahje dhe mbështetje të autoriteteve të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, të prekur nga tërmeti i mëngjesit të sotëm.
Po ashtu Policia e Kosovës do të jetë në gjendje gatishmërie që sipas nevojës të angazhohet edhe në Kosovë, ku janë regjistruar disa tërmete të shkallës më të ulët.
Top Channel