Ndaj Laçit vendos Asani, Partizani shkëputet në krye të renditjes

25/11/2019 20:45

Jasi Asani u preferua nga minuta e parë sot nga trajneri Franco Lerda dhe justifikoi plotësisht besimin, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes ndaj laçit, dhe duke i dhënë partizanit fitoren me vlerë 3-pikëshe.

Sfida në “Elbasan Arena” filloi me 15 minuta vonesë, për shkak të mungesës së ambulancës, ndërsa “të kuqtë” ishin më aktivë në fillim dhe arritën të gjejnë golin në minutën e 24-t me anë numrit 10, Asani.

Goli zgjoi Laçin, që filloi të shohë shpesh nga porta e Alban Hoxhës, por ky i fundit u tregua gjithmonë i gatshëm të ndalë topat e drejtuar nga rrjeta, madje edhe në raste vërtetë të vështira për t’u pritur.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo, me kurbinasit që tentuan të gjejnë golin e barazimit dhe Partizanin që mbrohej mirë e kundërsulmonte vazhdimisht në mënyrë të rrezikshme, por në fund mbeti në fuqi rezultati minimal 1-0.

Me këtë fitore, Partizani u shkëput në krye të renditjes me 25 pikë, 4 më tepër se Kukësi i vendit të dytë, ndërsa Laçi ndali serinë prej 4 fitoresh radhazi dhe mbeti në kuotën e 19 pikëve, në vendin e pestë tashmë.

Top Channel