Me moton “Bëhu Babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje”, në 15 dhjetor do të zhvillohet edicioni i katërt i maratonës në Prishtinë, ku qytetarët do të vrapojnë me veshje të babagjyshit të krishtlindjeve.
Veshjet do të mund të blihen nëpër sheshet e kryeqytetit kosovar; një kostum fëmijësh kushton 5 euro, ndërsa ai për të rritur 10. Paratë e grumbulluara falë kësaj iniciative do t`i shkojnë familjeve në nevojë.
“Këtë vit është edicioni i katërt i “Vrapo Babadimër”, që mbahet tradicional tashmë në Prishtinë dhe me të vërtetë jemi shumë të kënaqur, sepse ky lloj vrapi dhe ky humanizëm çdo vit po rritet. Këtë vit janë disa risi, pasi që pjesë e kampanjës do të jetë edhe Komiteti Olimpik dhe me të vërtetë jemi të kënaqur për këtë rritje të vazhdueshme çdo vit të maratonës humanitare “Vrapo Babadimër. E mira e kësaj iniciative është që këtë vit do të përfitojnë rreth 700 familje në nevojë, duke parë që nga fillimi në edicionin e parë do të thotë fituan vetëm 60 familje, andaj është një rritje shumë e madhe dhe jemi shumë të kënaqur që njerëzit po e pëlqejnë, po iu duket një aktivitet shumë human dhe shumë i mire”, ka thënë Jusuf Islami, organizator.
Islami kujton se herën e parë, kur ishte mbajtur ky lloj aktiviteti, ishin ndihmuar 60 familje, derisa këtë vit ky numër do të jetë dukshëm më i madh.
Risi e maratonës këtë vit, sipas tij, është edhe pjesëmarrja e fëmijëve nga Handikos dhe Fshatit SOS, ndërsa shpresat janë që iniciativës t’i bashkëngjitet edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai iu bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që t’i bashkohen maratonës, në mënyrë që të ndihmojnë sa më shumë familje të varfra. Kosova është një nga 60 shtetet e botës që organizon aktivitetin e vrapimit të Babagjyshëve për bamirësi.
Top Channel